Drejtori I Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi është shprehur se janë duke u bërë përgatitjet edhe për valën e dytë të përhapjes së pandemisë, e cila pritet të ndodh gjatë vjeshtës dhe dimrit, njofton Insajderi. Sipas Krasniqit, përkundër faktit që ka rënie të lehtë të rasteve me COVID-19, gjendja përsëri vazhdon të mbetet e rënduar.
“Edhe pse kemi një trend të lehtë të uljes së rasteve, megjithatë situata paraqitet ende e rënduar, ende kemi numër të madh të pacientëve të shtrirë në spitalet tona dhe ende kemi numër të madh të vdekjeve të paraqitura nga COVID. Numri i rasteve prej mbi 100 në çdo ditë ende vazhdon të jetë i lartë dhe kjo normalisht që pastaj mund të reflektohet me kërkesa për shtrim në spitale”, theksoi ai për KP.
Ai thotë se krahas kapaciteteve humane po synojnë që të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me oksigjen pasi gjatë kësaj kohe kanë pasur telashe në këtë aspekt.
“Ne po e përcjellim me shqetësim situatën epidemiologjike edhe në vend edhe në shtetet përreth dhe parashikimet e mundshme për të pasur numër më të madh të pacientëve edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit, jemi duke i bërë përgatitjet e nevojshme në kuptim të asaj që të rrisim kapacitetet dhe të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me oksigjen.
Ju e dini se një nga sfidat kryesore gjatë kësaj kohe ishte pikërisht furnizimi me oksigjen të qëndrueshëm kemi bërë planet dhe janë hartuar projektet për zgjerimin dhe rritjen e numrit të shtretërve që do lidhen me sistemin e oksigjenit qendror.
Po ashtu dhe kapacitetet me shtretër, Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria është duke punuar edhe në krijimin e kapaciteteve shtesë jo vetëm ato ekzistuese, dhe po ashtu e dini që edhe me resurse humane është janë duke ecur punët në drejtim të pranimit të 1 mijë mjekëve në specializim po ashtu edhe një numër të infermierëve me anë të projektit të huamarrjes nga Banka Botërore dhe së fundi do të procedojmë edhe ne si SHSKUK me punësimin e specialistëve që kanë kryer specializimin”, tha ai.