Situata politike në Kosovë mbetet akoma në krizë që pas rrëzimit të qeverisë Kurti në seancën e mosbesimit në parlament.
Marrëdhëniet mes Prishtinës zyrtare dhe Shtëpisë së Bardhë nuk janë në nivelin e duhur që pas përplasjes së Kurtit me të dërguarin e SHBA-së Grenell. Dialogu me Serbinë dhe teza e shkëmbimit të territoreve është akoma një vatër e nxehtë. Për këtë çështje ka folur edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright ku tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar tani sikur dikur në zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i ka bërë këto komente përgjatë një diskutimi të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, të kryesuar nga Eliot Engel, rreth autoritarizmit, dezinformimit dhe qeverisjes së mirë gjatë pandemisë me koronavirus.
“Çfarë ka ndodhur, fatkeqësisht, është se tani ka pyetje rreth kufijve dhe asaj se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë, mirëpo mendoj se në shumë mënyra, më duhet ta them këtë me keqardhje, se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje me (presidentin serb, Aleksandar) Vuçiq dhe me atë që serbët kanë tentuar ta zhbëjnë, e që ka pasur për rezultat një spastrim gjenocidal, të cilin e ka dënuar komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar Albright.
Ajo me këtë deklaratë duket se u është referuar diskutimeve për shkëmbim kufijsh, që fillimisht janë shpërfaqur më 2018. Në mesin e diskutimeve ka qenë edhe ideja që Serbia mund të marrë një pjesë të veriut të Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës.
Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve nëse pajtohen të dyja palët, derisa brenda vendeve të Bashkimit Evropian, kjo ide ka nxitur reagime pro dhe kundër.