Kosova mban sot zgjedhjet Parlamentare. Në një fushatë që zgjati më pak se dy javë për shkak se zgjedhjet janë të parakohshme partitë janë munduar të paraqesin platformat e tyre.
Kujtojmë se favorit për të fituar këto zgjedhje shihet koalicioni mes PDK, AAK dhe Nismës. Në një analizë të tij mentor Nazarko ndalet dhe shpjegon të gjitha skenarët që mund të çojnë zgjedhjet në Kosovë.
ANALIZA E NAZARKOS;
Kosova shkon në zgjedhje parlamentare, me paqartësi të mëdha në lidhje me fituesin. Megjithëse në letër, duket sikur koalicioni i të fortëve të luftës, i mbiquajtur PAN (PDK, AAK, Nisma) është fitues (për shkak të shumatores aritmetike të tyre veç e veç) prognozat nuk janë të sigurta, ndonëse sondazhimi në Kosovë është sport kombëtar. Koalicionet u krijuan në moment të fundit, në pushtet prej 10 vjetësh është e njëjta parti që ka krijuar mekanizëm frike (qytetarët kanë frikë të deklarohen para votimit) dhe fushata qëllimisht është lënë e shkurtër (10 ditë)që të defavorizojë partitë e opozitës dhe blloqet. Partia kryesore qeverisëse PDK funksionon në fushatë permanente, ndaj dukej më e favorizuar. Ndërkohë në ditët e fundit ngjan se qoftë koalicioni LDK-AKR, qoftë Vetëvendosja, janë rritur.
Paqartësi në prognozë
Po pse është kjo paqartësi ?
Në Kosovë, pjesën shqiptare garojnë tre parti ose blloqe të cilat janë të detyruar të bëjnë koalicion dhe me partitë serbe për të marrë vendime të mëdha që lidhen me shtetin ose pakicat.
Grupi PDK-AAK-Nisma (partitë e ish komandantëve) në moment të fundit u bë bashkë pas luftës së ashpër me njeri tjetrin duke ja lënë postin e Kryeministrit, Ramush Haradinajt. Haradinaj është njeriu që para fushatë u përball me një ndërmarrje gjyqësore serbe e një burgimi të shkurtër në Francë, diçka që rrit frikën se seicili polic aeroporti në seicilin vend europian mund ta ndalojë në kontroll rutinë. K
y ishte një bllok i pamenduar më parë, për shkak të egërsisë reciproke mes njerëzve të luftës, por që sot u krijua, duke lënë të imagjinohet se ka gjasë të lartë përplasjesh të mëdha sapo të bjerë gongu i numërimit të votave. Mënyra e ndarjes së votave brenda listës, gjegjësisht luftrat e brendshme individuale në listën e hapur, numri i madh i votave që i duhet partive të vogla brenda një liste të madhe, dhe që mund të tresë partinë e Haradinajt dhe Nismën, etj, etj janë disa prej faktorëve që do të krijonin shkallë të lartë konfliktualiteti brenda këtij blloku. Sipas të dhënave të zgjedhjeve të fundit ky bllok duket fitues, por në zgjedhje, 2 plus 2 mund të bëjnë 5 ose 3 dhe jo domosdoshmërisht 4.
Blloku rugovist. Blloku tjetër është ai i mbiquajtur familja politike rugoviste që bashkon LDK-në historike, të prirë nga kryeministri aktual Isa Mustafa, nga Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, të rikthyer në shtëpi, dhe dy listave të vogla (të kryetares së Gjakovës dhe një partie me frymëzim fetar). Kjo aleancë ka kandidat për kryeministër një figurë teknokrate si Avdullah Hoti, ministër aktual financash, që yahoo neës e krahasonte me Makronin. Mustafa, mentori i tij politik me marrëdhënie të shkëlqyer me CDU gjermane, u tërhoq në një akt kurajoz prej rikandididimit, por duke e mbajtur të bashkuar partinë, e njohur për sherr me karriga kur diskutohej trashëgimia e Rugovës së ndjerë. Në fakt ky bllok u përpoq të krijonte si risi dyshen Hoti- Pacolli, dy ekspertët e ekonomisë dhe financave në version zhvillimor dhe manaxherial, përkundër kandidatëve të tjerë si Haradinaj dhe Kurti pa eksperienca reale në ekonomi.
Partia socialdemokrate Vetëvendosja. Partia e tretë që nuk pranoi t’i bashkohej bllokut të dytë me gjasë për tu evidentuar më mirë dhe për të vendosur si kingmaker garën në fund, është Vetëvendosja e Albin Kurtit. Kjo parti gjithmonë në zgjedhje arrin të krijojë prej disiplinës, masivitetit në tubime, pranisë në media sociale, zëshmërisë së të rinjve, idenë se është partia e parë, por në fund, rezultatet nuk i japin të drejtë, duke krijuar bindjen se ajo ka një çati fiziologjike votash që nuk e kapërcen dot.
Në përpjekje për të shndërruar rrënjësisht imazhin, Albin Kurti i mbiquajtur Çe i Kosovës, po mban kravatë, po i drejtohet publikisht europerëndimorëve me mesazhe anglisht, si për tu treguar se ka ndryshuar dhe po parashtron një program socialdemokrat kapitalizmi shtetëror me disa paradokse brenda. Mesazhi në anglisht ngjan për konsum të brendshëm, për të sugjestionuar votuesit kosovarë me anglishten e Kurtit, sepse europerëndimorët marrin rregullisht mesazhe kundërshtuese sistematikisht prej partisë së tij në takime të hapura dhe të mbyllura.
Albin Kurti thotë se do ta shkëpusë drejtësinë nga politika në Kosovë, apo se do bëjë vetting, por ndërkohë ka në program të partisë arrestime. Vetëvendosja është kundër EULEX-it, dhe kërkon vetting që nënkupton domosdoshmërisht të huaj brenda. Po ashtu Kurti thotë mos u merrni me simbolet por me substancën (kur e akuzojnë për mosrespektim të simboleve shtetërore të Kosovës) dhe ndërkohë në tubimin e fundit e lidh Skënderbeun me vija të kuqe. Kurti ka shpallur betejën për demarkacion një betejë të brendshme (në program thuhet rishikim administrativ, akademik… të demarkacionit), kurse ajo është një çështje ndërkombëtare. Kurti flet për çështje kombëtare, por sheh si njëlloj problemi të brendshëm të Kosovës, islamofobinë duke tentuar të thithë votat e segmenteve radikale të shoqërisë kosovare.
Diferenca të vogla megjithatë
Në këtë betejë elektorale pritet të ketë surpriza. Blloku i rugovistëve ngjan se ka një rritje të ditëve të fundit nisur nga pjesëmarrja e lartë në tubime, aktivizimi në mediat sociale, mesazhit të bashkimit që vjen nga rikthimi i AKR-së, së Pacollit që ka përcaktuar fituesin dhe qeverisjen në zgjedhjet e mëparshme, çlirimit të votuesit nga presioni i një partie përherë në qeverisje me humbjen e vendit të punës. Nëse do mbështetesh vetëm tek debatet televizive, Vetëvendosja duket sikur ka rritje të madhe sepse qëllimisht blloku i luftës është përpjekur të akreditojë bindjen se kundërshtari i tyre real është vetëm Vetëvendosja, për të minimizuar kështu bllokun rugovist.
Me pak fjalë alkimitë e guzhinierëve të strategjisë politike mund të prodhojnë renditje të papritur të blloqeve. Por gjithsesi me diferenca të ngushta, që do e rrisin paqeverisshmërinë ndërkohë që ajo duhet për t’u përballur me çështje të tilla si Demarkacioni, Asocacioni i komunave serbe dhe Gjykata speciale. Vetëvendosja nuk do shkonte përshembull në qeverisje me bllokun e luftës. Blloku i luftës u tërhoq nga qeverisja me LDK-në dhe në rast nevoje do të duhej t’i kërkonte prapë asaj dhe aleatëve të saj të bashkoheshin në një koalicion paszgjedhor. Dhe për këtë paqeverisshmëri, për këtë vështirësi në krijimin e qeverisë mendohet se kanë ndikuar tre arsye kryesore.
Shkaqet e paqeverisshmërisë
Së pari, përpjekja perëndimore, për ta bërë të gëlltitshëm Planin Ahtisaari, ka rritur peshën e serbëve në vendimmarrje, (dhe pakicave etnike, gjuhsore dhe në ngjyrë madje) në mënyrë të shpërpjesëtuar. Çdo kombinacion shqiptar duhet të ketë në kurriz serbët që komandohen nga Beogradi, megjithë përçarjen e krijuar mes vetë serbëve, midis serbëve dhe malazezëve, në nivele shumë të larta.
Së dyti, kultura e dobët e respektimit të marrëveshjeve, thënë më shqip, mosrespektimi i marrëveshjeve politike si pasojë e pragmatizmit dhe makiavelizmit ekstrem ka hedhur në erë një reformë zgjedhore dhe një reformë kushtetuese. Këto reforma parashikonin proporcional rajonal dhe zgjedhjen e presidentit nga populli. Nëse kjo marrëveshje do ishte respektuar, kutitë e votimit mund të prodhonin rezultate të tjera, pavarësisht se partitë e bllokut të luftës (të tjerat diçka më pak)kanë regjionalizëm të theksuar. Përshembull nga fshati i Ramush Haradinajt ka katër kandidatë, ndërkohë nga Juniku me tetëmijë votues nuk ka asnjë, ndërsa që në një tubim elektoral të këtij blloku thuhet se Drenica do prijë në Kosovë, etj, etj.
Së treti, Kosova ka një vendim absurd të Gjykatës Kushtetuese që imponon partinë (koalicionin)e parë fituese të zgjedhjeve të krijojë qeverinë me çdo kusht, edhe kur nuk gjen partnerë. Kjo megjithëse Kushtetuta e Kosovës në këtë çështje është e shkruar njëlloj si ajo e MAqedonisë, e Shqipërisë dhe çdo republikë parlamentare që nuk e lexojnë kështu kushtetutën e tyre.
Zgjedhjet që prodhojnë suksesshëm zgjedhje të reja të parakohshme
Në çdo skenar pra, zgjedhjet në Kosovë nuk do prodhojnë stabilitet, madje mund të imponojnë sërish zgjedhje,duke përsëritur një model që po konsolidohet : sapo zgjedhjet mbarojnë, nga dita e parë, ka gjithmonë një palë të fuqishme që kërkon zgjedhje të reja. E gjitha kjo ngjan pak me historinë e Sizifit, kur zgjedhjet ngjajnë si objektivi i arritur diku afër majës që ngjan se do sjellë fitore, por ku gjërat ja fillojnë nga e para, sepse guri bie. Duke mbetur në mitologjinë greke, ato ngjajnë dhe me pëlhurën e Penelopës, që njera palë e end ditën për t’u martuar me tjetrën, por natën e prish për ta shtyrë pafundësisht ditën e martesës.