Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj do ta ushtrojë përkohsësisht funksionin e “shefes së përkohshme” të Qeverisë së Kosovës. Me mungesën e përkohshme të veprimit të kryeministrit Avdullah Hoti si pasojë e infektimit me epideminë COVID-19, Balaj-Halimajt i është kërkuar nga shefi i qeverisë që t’i kryejë punët më të rëndësishme të ekzekutivit.
“Për shkak të situatës së njohur tashmë, sot kam qenë e vetmja nga ZKM në zyrë. Kryeministri ka kërkuar nga unë të nënshkruaj disa vendime dhe të jem në zyrë për çfarëdo që ka nevojë Qeveria”, ka deklaruar Balaj-Halimaj në një deklaratë për Gazetën Insajderi të mërkurën.
Përpos kryeministrit Hoti, në zyrat e qeverisë kanë munguar edhe zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri dhe zëvendëskryeministri në radhë, Driton Selmanaj. Zëvendësi i parë i Hotit ka konfirmuar të martën se ndodhet jashtë vendit, ndërkaq Selmanaj ndodhet në vet-izolim si pasojë e infektimit me COVID-19.
Balaj-Halimaj ka nënshkruar katër vendime të nxjerra nga mbledhja e qeverisë, e mbajtur të martën. Vendime të cilat në një situatë të zakonshme i nënshkruan kryeministri. Mirëpo, zv/kryeministrja e Nismës Socialdemokrate në qeveri thotë se nuk ekziston asnjë “autorizim klasik” nga kryeministri, i cili do ta bënte atë zyrtarisht kryeministre të përkohshme të Kosovës.
“Kryeministri do të udhëheq në bashkëpunim të plotë me ne. Nuk ka autorizim klasik nga kryeministri. Ky është obligim imi dhe i të gjithë zëvendëskryeministrave në raste të tilla”, është shprehur zv/kryeministrja Balaj-Halimaj. “Rregulllorja e Qeverisë përcakton veprimet edhe këto situata. Nuk ka vend për asnjë shqetësim”.
Këto konstatime të zv/kryeministres Balaj-Halimaj hedhin dritë mbi një deklarim, jo edhe aq të qartë, të Vesel Krasniqit, ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, i cili deklaroi të martën se bashkëpartiakja e tij e ka marrë në drejtim udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës “me autorizimin e kryeministrit Hoti”.
Zëvendësuesi i kryeministrit të Kosovës në rast mungese të përkohshme të tij, përcaktohet me Rregulloren e Punës së Qeverisë. Rrjedhimisht, drejtimi i qeverisë i takon Besnik Tahirit, zv/kryeministrit të parë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Tahiri të martën, ka thënë se ushtrimi i pozitës së kryeministrit në detyrë nuk është problematikë e qeverisë. Ka pohuar se delegimi i punëve të kryeministrit tek zv/kryeministrat, rregullohet me Rregullore. Zëvendësi i parë i Hotit ka theksuar se është ndodhur në Sarandë në fillimin e kësaj jave dhe se nga atje nuk mund të ushtrojë pozitën e kryeministrit në detyrë.
“E para, unë fizikisht nuk jam në Kosovë. Kam ardhur në Sarandë për t’i marrë fëmijët që ndodheshin këtu”, ka thënë Tahiri në një bisedë telefonike për median në Kosovë. “Sa i përket kësaj teme, unë nuk mundem ta ushtrojë pozitën e kryeministrit në detyrë sepse nuk jam momentalisht në Kosovë. Kur nuk është kryeministri, punët e qeverisë i delegohen zëvendëskryeministrave të tjerë”.
Sipas Tahirit, funksionimi i punës së ekzekutivit, i cili rregullohet sipas Rregullores së Punës së Qeverisë, nuk parasheh delegimin e punëve nga kryeministri tek zëvendëskryeministri i dytë në radhë duke anashkaluar zëvendësin e parë të kryeministrit.
“E dyta, kjo çështje është rregulluar me fushëveprimin e Qeverisë së Kosovës, që kur një një zëvendëskryeministër nuk ndodhet në Kosovë, punët delegohen tek zëvendëskryeministrat e tjerë
Secili prej zëvendëskryeministrave është në kontakt dhe koordinohet me kryeministrin Hoti, sepse edhe punët dhe koordinimin e kemi bërë online, pjesë e të cilave ka qenë edhe kryeministri Hoti”, ka theksuar Tahiri.
Sipas pikës 2 të Nenit 9 të Rregullores së Punës së Qeverisë, vetëm në rast të mungesës së zv/kryeministrit të parë punët e qeverisë i delegohen zëvendëskryeministrit të dytë apo të tretë.