Përmes një postimi në rrjetet sociale Sejdiu shprehet se ngërçi aktual jo vetëm që e paralizon jetën parlamentare dhe e vonon formimin e qeverisë së re, por edhe rrezikon drejtpërdrejt stabilitetin politik të vendit.
“Bllokimi i zgjedhjes së kreut të Kuvendit të Kosovës paraqet një situatë të pazakonshme institucionale dhe politike. Pas më shumë se 21 tentimeve të pasuksesshme, Kuvendi vazhdon të jetë jo-funksional, çka e paralizon jetën parlamentare dhe pengon formimin e qeverisë.
Sipas Sejdiut, është urgjente që pozita e opozita të angazhohen në dialog serioz për të arritur një marrëveshje.
“Kjo gjendje po reflekton mungesë të konsensusit politik dhe gatishmërisë për kompromis, duke dëmtuar drejtpërdrejt stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik. Është nevojë urgjente që pozita dhe opozita të tregojnë maturi politike dhe fleksibilitet, duke u angazhuar në dialog serioz për të arritur një marrëveshje. Bashkëpunimi ndërpartiak është çelës për zhbllokimin e situatës dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve”, shkroi ai më tej.
Në fund ai thekson nëqoftë se kjo krizë vijon një nga pasojat do të jetë edhe dëmtimi i imazhit ndërkombëtar të Kosovës
“Nëse kriza vazhdon, rrezikohet jo vetëm puna e Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, por edhe stabiliteti politik në vend. Pasojat mund të përfshijnë: zgjedhje të reja të parakohshme, krizë të besueshmërisë në institucione dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës. Shoqëria jonë ka nevojë për institucione funksionale dhe për angazhim të përbashkët politik që u përgjigjen pritjeve të qytetarëve për zhvillim, stabilitet dhe përparim demokratik. Vetëm përmes paqes publike, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mund të ndërtojmë një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për vendin tonë”, shkroi ai në Facebook.