Grupi i 12 deputetëve dhe politikanëve që u shkëputën nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, kanë formuar një formacion të ri politik me emrin Partia Socialdemokrate.
Ndër ish-figurat e Vetëvendosjes bëjnë pjesë kryebashkiaku i Prishtinës Shpend Ahmeti, ish-kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, ish-deputeti i kësaj force Fisnik Ismaili, Aida Dërguti etj.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialdemokrate ka zgjedhur me shumicë votash kryetarin e saj Shpend Ahmetin.
Sipas një njoftimi të kësaj partie, bëhet e ditur se nënkryetar është zgjedhur Visar Ymeri, ndërsa sekretare e përgjithshme Aida Dërguti.
“Në këtë mbledhje u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i partisë si dhe morëm vendim që PSD të tërhiqet nga koalicioni i lidhur me PAN para zgjedhjeve të fundit parlamentare.” – thuhet në njoftim.
Mësohet se pak minuta më parë, në orën 17:00, PSD ka nisur konventën e saj.
(E.L./Faxweb)