Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias në një intervistë për grek ERT ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grek të rënë gjatë luftës italo-greke. Përveç kësaj ai ka folur edhe për marrëveshjen e detit me Shqipërinë ku është shprehur se është e drejta e Greqisë që të zgjerojë zonën e Egjeut.
“Nuk është në axhendën e diskutimeve me Turqinë, por problemi ynë qëndron tek shelli (rafti) kontinental. Teknikisht për të përcaktuar raftin kontinental, duhet përcaktuar zona e Egjeut, çfarë do e kryejmë pjesë-pjesë. Teoria se të gjitha bëhen automatikisht nuk solli asnjë rezultat prej vitesh. Në emër të maksimalizmit nuk bëhet asgjë. Delimitimi detar është mjaft i rëndësishëm për Greqinë, për përcaktimin e AOZ veçanërisht me Shqipërinë, të drejtat tona sovrane janë mese prioritare nga të gjitha aspektet”, ka deklaruar Kotzias.
Ministri i Jashtëm grek tha se koha është në favor të Greqisë për të zgjidhur të gjitha çështjet. Ai shtoi se çështja prioritare është abrogimi I ligjit të luftës duke thënë se pasojat ligjore do të përfshihen në një process të posaçëm në vijim
“Koha është në favor të Greqisë për të zgjidhur gjithë problemet, duke u shërbyer interesave greke por pa cenuar palën tjetër”, tha Kotzias. Mandej ai shtoi se “çështje prioritare është abrogimi i ligjit të luftës. Pasojat ligjore do përfshihen në një proces të posaçëm, në vijim”, deklaroi ai.
Këto deklarata të Kotzias vijnë pas takimeve të njëpasnjëshme që ai ka patur me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushatin në Kretë, Bruksel dhe SHBA gjatë takimeve ndërkombëtare. Ndërkohë që pala greke arriti rezultatin e parë pas këtyre takimeve, pas vendimit të qeverisë për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në Korçë, pala shqiptare ende nuk ka anjë rezultat. (B.H/Faxweb)