Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon shkarkimin e gjyqatrit Gentian Medja. Gentian Medja u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur I Kualifikimit më 1 gusht.
Ai është gjyqtar në Gjykatën Administrative në Tiranë.ONM i rekomandon Komisionerët Publik që ta ankimojnë në Komisionin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK.
Gjyqtari Medja u deklarua pa pasuri të fshehura në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ku u paraqit personalisht dhe pa avokat.
Komisionerët Publikë brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit KPK kanë të drejtë të paraqesin ankimimin.
Njoftimi
Në datë 1.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë, dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Medja.
Komisionerët Publikë, pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë. Ky vendim ende nuk është njoftuar.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
(B.H/Faxweb)