Pas vendimit të KPK-së për shkarkimin e saj nga detyra, Fatmira Hajdari vendosi që të mos bënte asnjë koment për gazetarët e shumtë që ishin në ambientet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ajo u shfaq padyshim e tènsionuar, teksa sheh që të marrë fund karriera e saj në sistemin e drejtësisë, pas 20 viteve që ishte pjesë e tij.
Ndërkohë që avokati i saj Maks Haxhia u shpreh shkurtimisht se vendimi do të apelohet dhe se të gjtiha pasuritë e Hajdarit janë të ligjshme, dhe të argumentuara dhe në seancën dëgjimore.
”Vendimi ishte i padrejtë, sigurisht që do ta apelojmë atë. Këta nuk po pyesin për ligj xhanëm se Kushtetuta e ka, aneksi i Kushtetutës deri në dyfishin e pasurisë por këta nuk e kanë respektuar asnjëherë. Këta kanë listat dhe po pastrojnë”, u shpreh Haxhia në dalje të KPK-së.
Hajdari u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me prona, me ndërtimin e një pallati 10 katësh pa leje dhe një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milion lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni.
Relatimi që zgjati 1 orë e 20 minuta, përfshiu po ashtu një sërë pasurish që sipas KPK nuk ishin deklaruar asnjëherë, përfshirë një ullishte dhe disa transaksione të djalit të Hajdarit në aksione kompanish që i ishin dhuruar pa kundërshpërblim.
Hajdari, e cila u vlerësua vetëm në dy kritere, u cilësua po ashtu e papërshtatshme në kriterin e figurës, pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formularin për këtë kriter.
Gjyqtarja Hajdari bëri tre mbrojtje të ndryshme për të kundërshtuar gjetjet në një seancë që zgjati 4 orë. Një përmes avokatit Maks Haxhia, i cili u përpoq të justifikonte juridikisht pse revokimi i vizës nuk ishte refuzim hyrje. Një të dytë përmes avokates Ilira Dane, që përshkroi në detaje kundërshtimet mbi gjetjet në kriterin e pasurisë.
Dhe një të tretë vetë, duke i dhënë nota emocionale historisë së saj dhe duke shpjeguar po emocionalisht se problemet me pasurinë vinin kryesisht nga veprimet e të birit, por që sipas saj nuk kishte bërë shkelje të ligjit.
“Jam e pastër, nuk e kam shkelur ligjin”, tha Hajdari gjatë fjalës së saj në seancë dëgjimore. Rivlerësimi për Hajdarin u krye nga një trupë e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja. Ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.
Fatmira Hajdari, e cila është e veja e Azem Hajdarit deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’ i vrarë në vitit 1998. Ajo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mban edhe aktualisht. (E.K/Faxweb.al)