Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe organizata të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore nisën në disa qarqe në Shqipëri ndërgjegjësimin e autoriteteve shtetërore dhe vendore për mospërdorim të burimeve shtetërore në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Përdorimi i këtyre burimeve për avantazh elektoral ishte sipas organizatave një nga dukuritë më problematike në zgjedhjet e fundit vendore, duke shënuar rritje dhe një sfidë të hapur ndaj ligjit dhe institucioneve.
Drejtuesi i organizatës “KRIIK Albania” Premto Gogo thotë për Zërin e Amerikës se përdorimi i burimeve shtetërore është një nga problematikat madhore me të cilat haset procesi zgjedhor në Shqipëri.
“Raporti i vlerësimit të nevojave, i bërë nga ODIHR, ku ka pasur edhe një takim të posacem me organizatën tonë ka qenë një nga shqetësimet kryesore pikërisht mundësia për të keqpërdorur burimet shtetërore për të krijuar orientime apo deri në nivel frikësimi ndaj qytetarëve”, thotë ai.
Zoti Gogo flet më tej për shqetësimin e përdorimit të disa prej burimeve shtetërore në zgjedhje.
“Përdorimi i burimeve materiale, financiare, përdorimi i burimeve njerëzore, administratës publike flasim dhe duke shkuar deri në momente frikësimi, ashtu sikurse edhe burime të aseteve shtetërore, autoritetit shtetëror dhe institucional. Kështu që janë një sërë elementësh të vërejtur. Mjafton të themi që gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2023, kanë qenë mbi 200 denoncime që organizata jonë KRIIK i ka dërguar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve me këtë natyrë”.
Zoti Gogo thotë se krahas takimeve në 8 qarqe të vendit organizata do të monitorojë edhe aktivitete e administratës vendore apo qëndrore gjatë fushatës nëse janë në përputhje me ligjin.
“Në kontaktet paraprake që janë zhvilluar me përfaqësues të partive politike dhe të institucioneve, thotë më tej zoti Gogo, ka një ndërgjegjësim, por duhet parë, thotë ai, se si do të përkthehet në qëndrime konkrete në respekt të ligjit gjatë fushatës”.
Edhe Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi në një komunikim “on line” me zyrtarët vendorë në Gjirokastër u bëri thirrje të zbatojnë përcaktimet që jep ligji zgjedhor lidhur me aktivitetet në periudhën e fushatës.
Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi deklaroi se të gjitha aktivitetet zyrtare gjatë fushatës do të monitoroheshin dhe u kërkoi zyrtarëve publikë në Gjirokastër të mos abuzonin me burimet shtetërore pasi do të ndëshkoheshin sipas ligjit .
Krahas mospërdorimit të burimeve shtetërore në fushatë sic janë asetet e vetë institucioneve, po aq rëndësi ka edhe mospërdorimi autoritetit publik në aktivitetet elektorale, thotë Antuela Malaj, eksperte e organizatës.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2023 organizata KRIIK bëri mbi 200 denoncime në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për shkelje të ligjit në përdorimin e burimeve shtetërore në zgedhje ku për rreth 60 subjekte u ndërmorën masa nga vetë KQZ.
“Por, sipas raporteve të organizatave që monitorojnë zgjedhjet në Shqipëri, janë vërejtur raste kur hetimet administrative dhe veçanërisht ato penale për denoncimet lidhur me ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore janë zgjatur apo zvarritur në kohë, çka dobëson sipas organizatave besimin e qytetarëve në mekanizmat raportues dhe rezultatin e pritur ”.
Organizatat i kanë kërkuar KQZ-së që të përdorë të gjitha burimet dhe instrumentet, për të trajtuar me prioritet shqetësimet si dhe indicjet publike që janë të verifikueshme, lidhur me keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgedhjet e pritshme parlamentare.voa