Gjatë mbledhjes së djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka refuzuar kandidimin Alfred Belerit, si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit në Bashkinë e Himarës.
Në arsyetimin e KQZ-së thuhet se kandidimi i tij bie ndesh me ligjin për integritetin e personave që zgjidhen, apo ushtrojnë funksione publike.
“Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatit për Kryetar në Bashkinë Himarë, z. Dhionisios Alfred Petro Beleri, i pavarur, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publik”. KQZ vendosi të refuzojë kandidaturën e z. Dhionisios Alfred Petro Beleri, kandidat i pavarur për kryetar të Bashkisë Himarë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019“, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Mësohet se KQZ ka konstatuar shkelje në formularin e dekriminalizimit, pasi Fredi Beleri është dënuar me 3 vjet burg në vitin 2016 për urrjetje nacionaliste, por nuk ka kryer burg.
Lidhur me këtë vendim të KQZ-së ka reaguar dhe Athina zyrtare, ku thuhet se moslejimi i kandidimit të Belerit në zgjedhje nuk ka bazë ligjore.
“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri për të mos lejuar kandidimit e zotit Beleri është tepër shqetësues. Me sa jemi në dijeni deri më tani ky vendim nuk ka bazë ligjore. Jemi duke ndjekur zhvillimet dhe jemi të gatshëm të ndihmojnë përfaqësuesit e minoritetit”, thuhet në reagimin e Athinës zyrtare.
Beleri njihet edhe si një nga anëtarët e komandos ekstremiste të masakrës së Peshkëpisë, e ndodhur në 10 prill 1994 në Gjirokastër.
KQZ e lejoi Fredi Belerin të kandidonte në zgjedhjet lokale të 2015 për bashkinë e Himarës nën siglën e PBDNJ dhe i mbështetur nga opozita e djathtë, por nuk arriti që të fitonte.
Por ndryshe nga viti 2015, KQZ kësaj radhe i ka mohuar kandidimin, ndërsa dosja e Peshkëpisë është rihapur.
Çfarë ndodhi në masakrën e Peshkëpisë:
Në këtë masakër mbetën të vrarë dy ushtarakë shqiptarë, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini, pasi u sulmuan nga një bandë e armatosur greke në mesnatën e 10 Prillit të vitit 1994, ndërsa në repartin ku ndodhi ngjarja ndodheshin edhe 130 rekrutë të rinj të paarmatosur, të cilët u mbajtën peng.
Ngjarja e Peshkëpisë është regjistruar si një prej ngjarjeve më enigmatike të ndodhura përgjatë vijës kufitare me shtetin grek.
(E.K/FAXWEB.AL)