Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në mbledhjen e zhvilluar ditën e djeshme ka marrë dy vendime të rëndësishme, në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Kështu KQZ nuk ka pranuar kërkesën e Salvador Kaçajt për tu dorëhequr nga gara si kandidat i Partisë Bindja Demokratike për Bashkinë e Lezhës, ndërsa nuk publikohet arsyeja e refuzimit. Vetë Kaçaj dha dorëheqjen tre ditë më parë duke thënë se nuk mund të bëhej fasadë e qeverisë Rama
Nga ana tjetër KQZ ka vendosur që të çojë në prokurori dhe kandidatin tjetër të Bindjes Demokratike, që u tërhoq nga gara për Bashkinë e Kavajës, Bledar Sinella.
‘Për shqyrtimin e kërkesës së dorëheqjes së kandidatit për kryetar të Këshillit Bashkiak Kavajë z. Bledar Sinella. KQZ vendosi që materialet e dosjes së dokementeve të kandidimit për Kryetar të Bashkisë Kavajë, z. Bledar Sinella, t’i kalojnë Prokurorisë së Kavajës.’, thuhet në njoftimin e KQZ. .
Gjithashtu një tjetër vendim i Komisionit është dhe refuzimi i listës shumemërore të kandidatëve për Këshillin e Bashkisë Tiranë, të Partisë Aleanca Kuq e Zi, pjesëtare e Koalicionit ‘Shpresa për Ndryshim’, ndërkohë që dhe për këtë vendim nuk jepet arsyeja.
‘Për refuzimin e listave shumemërore të kandidatëve për anëtarë në këshillin e bashkisë Tiranë të depozituara nga Partia Aleanca Kuq e Zi, pjestare e koalicionit ‘Shpresa për Ndryshim’, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019′. KQZ vendosi refuzimin e listës shumemërore të kandidatëve për Këshillin e Bashkisë Tiranë, të Partisë Aleanca Kue Zi, pjesëtare e Koalicionit ‘Shpresa për Ndryshim’, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019′, mbyllet njoftimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.