Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit në qarkun e Kukësit. Në mbledhjen që ka nisur paraditen e sotme, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi u shpreh se pasi janë shqyrtuar disa ankimimet të bëra nga subjektet politike në qarkun e Kukësit në fund ka bërë miratimin e tabelës së rezultateve.
Celibashi njofton se në këtë qark PD mori 2 mandate me 62.27% të votave, ndërsa PS mori 1 mandat me 35.84 %. Deputetët e mandatuar të Kukësit janë Flamur Hoxha, Isuf Çelaj dhe Genta Duraku.
“Miratohet tabela e rezultateve për qarkun Kukës sipas lidhjes, miratimi për subjektet politike dhe për kandidatet për deputet në këtë qark. Po bëj me dije vetëm rezultatet për subjektin, në qarkun e Kukësit votuan 40894 zgjedhës, vota të pavlefshme dolën 2188. Në qark janë përfaqësues 3 deputetë, nga PD në Kukës e morën mandatin Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj, nga PS Genta Duraku”, ka thënë Celibashi.