Mesditën e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpërndajë fondin për partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit. Ndër 65 milionë lekë në total, 49 milionë prej tyre shkojnë për Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.
Konkretisht, Partia Socialiste do të marrë rreth 28 milionë lekë financime për shkak se në 2013-ën ajo u rendit e para me 713 mijë vota, ndërsa Partia Demokratike do të përfitojë rreth 21 milionë lekë pas renditjes e dyta në 2013-ën me 523 mijë vota.
Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim do të përfitojë 7 milionë lekë.
Projektvendimet që pritet të shqyrtohen sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve:
- Për lirimin dhe emërimin kryesisht të anëtarit të KZAZ-së nr.7, Qarku Shkodër, dhe sekretarit të KZAZ-së nr.26, Qarku Tiranë, për zgjedhjet për Kuvend, të datës 25 qershor 2017.
- Për përcaktimin e sasisë së fondit publik që do t’u shpërndahet si paradhënie partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 qershor 2017.
- Për miratimin e vëzhguesve afatshkutër të Ambasadës Norvegjeze në Kosovë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 qershor 2017.
- Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 qershor 2017.
- Për miratimin e kritereve dhe procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve financiar për të kryer monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike.
- Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore.
- Për lirimin dhe emërimin e disa anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 qershor 2017.
(XH.A/SHUPLAKA)