Ish-kreu i KQZ-së dhe njëherësh një prej juristëve më të mirë në vend, Kristaq Kume, ka qenë i ftuar sot në studion e lajmeve të Fax News, ku ka komentuar përplasjen e fundit për datën e zgjedhjeve, dhe për nismën e mazhorancës për të shkarkuar presidentin.
Kume tha se edhe në të shkuarën zgjedhjet janë shtyrë, por me një ndryshim, që palët kanë rënë dakord mes tyre.
“Vendimet në të shkuarën kanë qenë në pakt me partitë e intreresuara, gjë që nuk ka ndodhur këtë herë. Presidenti i Republikës, siç e tha dhe vetë nuk arriti që të kishte një diskutim me palët, qëndrimet e tyre janë shumë të kundërta dhe të largëta. S’ka një detyrim ligjor presidenti që duhet që patjetër të flasë me palët për të marrë vendimin për të shtyrë zgjedhjet”, u shpreh Kume.
Ndërkohë lidhur me shanset që KQZ të bllokojë dekretin e Metës, Kume tha se kjo nuk mund të ndodhë pasi funksioni i vetëm që ka KQZ është të administrojë procesin e zgjedhjeve, dhe jo të japë qëndrim lidhur me dekretet e nxjerra nga Presidenti.
“Është presidenti i vetmi institucion në republikën e Shqipërisë që vendos për datën e zgjedhjeve.
KQZ duhet të marrë vendimin për të ndërprerë procesin e organizimit tëe zgjedhjeve që ishin parashikuar që të mbaheshin në 30 Qershor. Partitë duhet të ndërpresin fushatën zgjedhore, si pasojë e dekretit të presidentit. KQZ nuk ka të drejtë që të gjykojë mbi dekretin e presidentit, ligji e ngarkon për të administruar procesin. Di të ishte njësoj sikur KQZ mos të njihte vendimin e presidentit për x datë të caktuar për zgjedhjet.
Komisioni Qendror i zgjedhjeve është i pavarur ligjërisht, dhe nuk duhet të vjetë i varur nga partitë politike. KQZ duhet të verpojë ashtu siç e kërkon ligji, në bazë të Kodit Zgjedhor, ky Komision e ka të pamundur po e përsëris dhe njëherë, që të diskutojë në lidhje me dekretin e presidentit”, deklaroi Kume.
Ndërkohë që i pyetur nga gazetarja Armela Ferko mbi mundësinë e shkarkimit të presidentit, Kume tha se kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit.
“Që presidenti të shkarkohet duhet ose të konsumojë një shkelje të rëndë të kushtetutës, ose për shkak të një shkelje të rëndë penale, është Kuvendi ai që shtyrton këtë më pas. Pa dhënë vendimin e saj Gjykata Kushtetuese Ilir Meta do të qëndrojë në detyrë, nuk mund të ketë delegim të kompetencave të tij tek institucione të tjera”, tha Kume.
Ish-kreu i KQZ u shpreh se në rast se Gjykata Kushtetuese do të ngrihej me nxitim dhe në mënyrë të njëanshme, atëherë do të minohej e gjithë reforma në drejtësi.
“Mund të realizohet vënia në funksion e Gjykatës Kushtetuese, po në vlerësimin tim minumumi që mund të bëjë është ajo se është duke u keqpërdorur Reforma në Drejtësi. Të gjitha përpjekjet për këtë Reformë do të vendoseshin në një pikëpyetje të madhe, nuk do ia vlente që të shkatërrohej pritshmëria e publikut, dhe ndërkomb ëtarëve, për të realizuar këtë lëvizje për shkarkimin e presidentit”, u shpreh Kume.
Në mbyllje të fjalës së tij Kume tha se nuk besonte që presidenti do të ndërmerrte një akt për shpërndarjen e Kuvendit, dhe se zgjidhja e këtij momenti krize do të duhet të jepet nga të gjithë aktorët politik, të cilët duhet të ulen sa më shpejt për të diskutuar.
Discussion about this post