Në Samitin e Sigurisë Kufitare të mbajtur në Londër, autoritetet shqiptare dhe britanike theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandimin e emigrantëve.
Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Boshnjaku, ishin pjesë e takimit ku diskutuan mënyra të reja dhe efikase për të luftuar këto fenomene.
Gjatë samitit, Drejtor Nallbati zhvilloi një takim miqësor me Drejtorin e NCA-së, takim i cili konfirmoi mbështetjen e NCA-së (Policisë britanike), për Policinë shqiptare.
Gjatë samitit, Graemme Biggarm, Drejtor i Përgjithshëm i NCA-së (Agjencia Kombëtare për Krime e Mbretërisë së Bashkuar), vlerësoi bashkëpunimin mes Policisë shqiptare dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke e cilësuar si një shembull të shkëlqyer që duhet të ndiqet nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë.
Takimet ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe britanike ishin një mundësi për të forcuar lidhjet dhe për të diskutuar mbështetje të mëtejshme për Policinë shqiptare, duke siguruar një luftë më të suksesshme kundër kriminalitetit transnacional.
Ky samit theksoi angazhimin e përbashkët për sigurinë kufitare dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në nivel global për të adresuar sfidat që paraqiten nga krimi ndërkufitar.