Anëtari i kryesisë së PD, Kreshnik Çollaku ka reaguar për situatën kaotike në pikën kufitare të Kakavijës dhe për deklaratën e Ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, duke ngritur pyetjen: Çfarë arriti të bënte kryepeshkopi Janullatos që nuk arriti të bënte ministri jonë i jashtëm?
I ftuar në studion e Fax News, Çollaku theksoi se “na fëlliqën, rrezikuan jetën e njerëzve”, ndërsa bëjnë heronjtë e një beteje që mori fund pas ndërhyrjes së kryepeshkopit Janullatos.
“Është karagjozllëk i natyrës institucionale. Çfarë arriti të bënte kryepeshkopi Janullatos që nuk arriti të bënte ministri jonë i jashtëm? Më thoni çfarë “magjie”, çfarë zgjidhi që është për tu falenderuar dhe nuk e zgjidhi dot Ministria e Jashtme shqiptare, e cila paguhet nga taksat e shqiptarëve? Më thoni çfarë? Në mënyrë totalisht të papërgjegjshme, u tentuan t’ia lënë fajin palës greke, pastaj kur Greqia arriti të gjente marrëveshjen për shkak të ndërhyrjes së kryepeshkopit, ta themi hapur, e thotë ministri Majko, tani dalin të bëjnë heronjtë e një beteje që na fëlliqën, u fëlliqën, rrezikuan jetën e njerëzve dhe tani është një betejë që e duan të marrin ndonjë meritë. Ministria e Jashtme mund të bënte jashtëzakonisht shumë në marrjen e masave për të parandaluar një situatë të tillë”, u shpreh Çollaku.
Anëtari i kryesisë së PD tha se pala greke nuk është aspak fajtore në këtë mes pasi po përpiqet të mbrojë vendin ndaj një shteti ku situate e pandemisë ka përfunduar në kolaps.
“Në këtë rast, shteti grek ka për detyrë të mbrojë njerëzit e vet dhe nuk mund të hapë porta karshi një vendi, asnjë vend nuk mund ta bëjë këtë gjë. Mos e krahasoni me Kosovën se jemi i njëjti vend parimisht. Por shteti grek është duke krijuar filtër testimesh në kufi për çdo kënd që vjen nga një vend që situatën e pandemisë e ka në kolaps të plotë. Këtu pandemia e kontrollon vendin, nuk e kontrollon shteti. Pra qeveria e ka braktisur këtë për hir të vërtetës dhe shteti grek duhet të marrë masat e njerëzve të tij duke krijuar testime”, përfundoi Çollaku. (A.M/Faxweb.al)