Kandidati i pavarur i Lëvizjes Vetëvendosje në qarkun e Gjirokastrës, Kreshnik Merxhani ka dhënë një intervistë ditën e sotme për Fax Neës, duke dhënë detaje për denoncimin në lidhje me manipulimin e votave.
Merxhani thotë se ka një patologji 30 vjeçare që mban në vendnumëro Shqipërinë, që është vjedhja e votave dhe mos shpjegimi se çfarë ka ndodhur me to.
Sipas Merxhanit, u desh të vinte një forcë si LVV-ja, në mënyrë që të goditej kjo patologji, gjë të cilën Vetëvendosja e ka bërë dhe në Kosovë që nga viti 2010.
Denoncimit për manipulimin e votave, Merxhani e sheh si një problem që prek jo vetëm partinë e tij, por të gjithë sistemin, prandaj dhe ai shpreh vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund denoncimeve të bëra, në mënyrë që të rikthehet besimi i qytetarëve te zgjedhjet.
Kandidati i LVV-së u ndal dhe te një denoncim konkret që bëri partia e tij pak ditë më parë për një numërues që me një laps të vogël shpallte votat e pavlefshme. Merxhani u pyet nëse është identifikuar personi në fjalë, por ai thotë se KQZ i ka dorëzuar të gjitha zarfet por vetëm në lidhje me këtë numërues nuk i është dorëzuar.
Intervista:
Votat e pavlefshme? Pas atij denoncimi kemi tërhequr dhe vëzhguesit tanë, sepse kuptuam se i gjithë procesi ishte një farsë. Pikërisht sepse vëzhguesit tanë dokumentuan me video si falsifikoheshin hapur fare, mes sallës, fletët e votimit, vullneti i votuesit. Kjo rezultoi sigurisht jo vetëm me një proces të shkatërruar, duke humbur besimin te ky proces, prandaj duhet t’i shkojmë deri në fund kësaj rruge që i jemi futur, që të rikthejmë besimin e qytetarëve. Një rekord kombëtar, mbi 83 mijë vota të pavlefshme në rang kombëtar, 2317 prej tyre janë vetëm në qarkun e Gjirokastrës. Qarku i Gjirokastrës ishte i dyti më me pak pjesmarrjes në votime, pas Vlorës.
Në Gjirokastër kërkoni rinumërim, apo rivotim? Ne kërkojmë rivotim sigurisht. Rinumërimi në kushtet e falsifikimit është qesharak, pa kuptim. Është verifikuar me video si falsifikoheshin. Këtu është nga kamera 360 gradë vënë në dispozicion nga KQZ. Këtu një nga numëruesit mban një laps të vogël 3-4 cm. Ai deformon vullnetin e votuesit.
A e keni identifikuar numëruesin në fjalë? Ne kemi kërkuar prej KQZ të na çojë vendimin për emërimin e vëzhguesve dhe numëruesve. Te e njëjta adresë ku kam marrë zarfet e KQZ, ky zarf me këtë vendim nuk erdhi në kohë. Dhe ne nuk e përfshimë dot në ankimin tonë. Mu dorëzua dorazi në KQZ dje ky zarf. Megjithatë aty janë një sërë emrash që duhet t’i vertetojmë. Një kerkesë e imja që ju dorëzua KAS për këtë çështje u rrëzua në mënyrë unanime. Është shumë e çuditshme sesi ai grup që gjatë diskutimeve kërkonte që ne t’i kërkonim prova shtesë vetëm materialet që ishin administrim i KQZ, këtë dokument që e ka KQZ e rrëzoi në mënyrë unanime. I themi thelloni hetimin. E kanë detyrim ligjor. Përse i paguajmë me taksat tona?! Të mos garantojnë këta besimin te procesi. Ja ku e kanë të bejnë hetimin. Pra këta shqyrtokan vetëm çfarë dorëzojmë ne. Atëherë përse janë 4000 orë regjistrime?!
Morëm vesh dje që kreut të KAS nuk i ka shkuar një kerkesë nga kreu i KQZ për të nisur një procedim administrativ ndaj komisionerëve dhe numëruesve në fjalë. Si ta kuptojmë? Nuk kemi një deklaratë të qartë publike se çfarë po bëhet me këta persona. Si ta kuptojmë ne?! ne nuk i ndahemi kësaj çështje deri në fund. Nuk është puna vetëm te votat e një kandidati. Kjo është një patologji 30 vjeçare që e mban vendin tonë në vendnumëro. Sepse duke goditur pikërisht këtë dhe duke mos qenë e dokumentuar, u desh të vinte një forcë si LVV të kryente të njëjtën procedurë që ka ndjekur edhe në Kosovë, që në vitin 2010 filloi të denonconte jo më manipulimin e votave të veta, por manipulimin dhe deformimin e vullnetit te qytetarëve.
Manipulimi i votave? Si do të lindin forcat e reja në këtë vend, kur këto forcat e vjetra jo vetëm i vjedhin votat, por nuk u lënë vend as të kuptojnë ku kanë punuar mire dhe se si mund të reformohen. Ti nuk i jep atyre motiv, as zgjedhësit, as forcave të reja. Sepse demotivohen. Këtu kemi të bëjmë me demotivimin e proceseve demokratike. Të duhet një opozitë e mirë, forca të reja, të duhen forca egzistuese të cilat reformohen. Por nuk mund të reformohen për aq kohë sa ka vjedhje.
(E.H/Faxweb.al)