Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Sigurisë Publike, Altin QATO, zhvilluan një takim me Policinë Italiane, Guardia di Finanza dhe Benecon, në kuadër të ndjekjes së zbatimit të protokollit operativ për fluturimet ajrore me avion të posaçëm të Guardia di Finanza-s, për identifikimin e parcelave të kultivuara me Cannabis, në territorin e Shqipërisë.
Kolonel Giovanni Conti, vlerësoi si mjaft të shkëlqyer bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me Policinë Italiane dhe me GdF-në, qoftë për operacionet e përbashkëta kundër trafikimit të lëndëve narkotike, por edhe bashkëpunimin, bashkërendimin e koordinimin e gjithë veprimeve për monitorimin nga ajri, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Conti konfirmoi se deri tani bazuar në fluturimet ajrore (rreth 23 orë fluturim), që përbëjnë 1/5 e gjithë orëve të misionit të fluturimeve për vitin 2017, nuk janë identifikuar parcela të kultivuara me Cannabis Sativa. “Kjo është një arritje e madhe dhe tregon punën e shkëlqyer parandaluese, të bërë nga Policia e Shtetit”, u shpreh Giovanni Conti.
Komandanti i Guardia di Finanza-s në Shqipëri, Kolonel Luca De Paolis, theksoi edhe një herë se ka kaluar pothuajse një muaj që nga fillimi i zbatimit të protokollit operativ, dhe çdo gjë po shkon sipas planifikimeve paraprake. Nga përpunimi i të dhënave të deritanishme dhe fluturimet ajrore (katër të tilla) gjatë muajit maj- qershor, tendenca e kultivimit të Kanabisit është zero.
“Nga analiza e punës së përbashkët të kryer deri tani, kemi marrë një rezultat pozitiv, përsa i përket organizimit dhe zbatimit të protokollit operativ”, ka thënë ndër të tjera De Paolis.
Drejtori i Përgjithshëm Çako falënderoi partnerët italianë për konsideratat, dhe theksoi se Policia e Shtetit është duke e kryer me përkushtim punën e saj, me një vendosmëri dhe angazhim të plotë për të vazhduar monitorimet. “Jemi në periudhën paraprake të kultivimit dhe do të duhet të presim deri në muajin korrik 2017, për të qenë më të sigurt në shpalljen e një fitoreje ndaj një fenomeni që padyshim kërkon përpjekje të mëdha nga ana e të gjithëve ne. Nuk do të ketë asnjë stepje, asnjë tërheqje, por do të forcojmë akoma më tej bashkëpunimin dhe do të koordinojmë sa më mirë veprimet e përbashkëta, jo vetëm nga ajri dhe toka, por edhe nga deti, për të parandaluar dhe goditur me ashpërsi, qoftë tentativat e kultivimit të bimëve narkotike, ashtu edhe tentativat e trafikimit të lëndëve narkotike në rrugë detare apo tokësore.” është shprehur Çako.
Në këtë drejtim Çako, ka dhënë miratimin e tij për zhvillimin së afërmi të një takimi të Policisë së Kufirit dhe Migracionit me kolegët e Guardia di Finanza-s dhe Policisë së Shtetit Italian në Bari, me mbështetjen e PAMECA V.
Pas takimit Çako së bashku me Drejtorin e zyrës së Policisë italiane, Uci Albania, Kolonelin Giovanni Conti dhe drejtuesit e tjerë nga pala italiane dhe Policia e Shtetit, zhvilluan një vizitë në laboratorin e ngritur për misionin e fluturimeve nga ana e Policisë Italiane ne Shqipëri, që tashmë është i plotësuar edhe me pjesën universitare, qendrën BENECON, për përpunimin në kohë reale të të dhënave të mbledhura nga fluturimet ajrore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Çako, theksoi se Drejtoria e Policisë së Shtetit është e hapur për këdo nga institucionet shtetërore që interesohet, të vijë, të shikojë me sy e të dëgjojë me veshë, kërkuesit shkencorë të universitetit, në këtë laborator.
(J.V/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2124″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]