Analiza e deklaratave të pasurisë së Bashkim Dedja- kryetar i Gjykatës së Kushtetuese që përballet me procesin e vetingut të premten, nga viti 2003 deri në vitin 2017.
Bashkim Dedja ka lindur në 13 mars 1970 në Dibër dhe është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në vitin 1993. Nga viti 1993-1996 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas deri në vitin 1998 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Gjatë viteve 1998-2010 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Durrës. Në muajin maj të vitit 2010 Dedja u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe që nga muaji shtator i vitit 2012 është Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Bashkim Dedja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko këtu për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Bashkim Dedja zotëronte një pasuri prej 2.49 milionë lekësh në vitin 2003 -kur deklaroi për herë të parë pasurinë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij rezulton të jetë rritur me 17.3 herë në krahasim me vitin fillestar, duke kapur vlerën e 43.2 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare të krijuara gjatë viteve 2003-2017 janë në vlerën e 31.8 milionë lekëve dhe përbëhen në 85.4 për qind nga paga dhe shpërblime nga funksioni, 10.8 për qind nga paga e bashkëshortes, 2.6 për qind nga mësimdhënia dhe 1.2 % nga të ardhura të tjera.
Pasuria familjare e gjyqtarit Dedja përbëhej në fund të vitit 2017 nga rreth 274,524 lekë llogari bankare, 200,000 lekë kursime në cash, 41,3 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe pasuri të luajtshme në vlerën 1.3 milionë lekë.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 deklaratat e gjyqtarit Dedja, ku njëra rezultoi me probleme.
Ndërkohë, gjatë analizës u identifikua si “flamur i kuq”, mosmbulimi i shtesës së pasurisë në vitin 2013 në shumën 894,467 Lekë, pasi konstatohet se subjekti deklaron si burim për blerjen e apartamentit dhe garazhit një hua të marrë nga vëllai dhe kunati, por nuk saktëson sa është kjo shumë. Është e paqartë nëse ky informacion është dhënë në pjesën konfidenciale të deklaratës, të cilën BIRN nuk e disponon. Gjithashtu, një tjetër flamur i kuq që shfaqet në deklarimet e pasurisë së gjyqtarit Dedja është rritja e vlerës së pasurive të paluajtshme në vitin 2011, e cila është rezultat i rivlerësimit (14,3 milionë lekë).
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë për vitin 2003
Deklarata e pasurisë për vitin 2004
Deklarata e pasurisë për vitin 2005
Deklarata e pasurisë për vitin 2006
Deklarata e pasurisë për vitin 2007
Deklarata e pasurisë për vitin 2008
Deklarata e pasurisë për vitin 2009
Deklarata e pasurisë për vitin 2010
Deklarata e pasurisë për vitin 2011
Deklarata e pasurisë për vitin 2012
Deklarata e pasurisë për vitin 2013
Deklarata e pasurisë për vitin 2014
Deklarata e pasurisë për vitin 2015
Deklarata e pasurisë për vitin 2016
Deklarata e pasurisë për vitin 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al
Burimi: BIRN