Kreu i Partisë Republikane të Kosovës, Faton Kurti, i kthyer prej pak kohësh në Kosovë, pas 37-vitesh në emigrim, ka dhënë një intervistë për Fax News.
Kurti ka folur për situatën politike dhe ekonomike në Kosovë dhe në Shqipëri, duke i parë të dy vendet në ngërç, zgjidhja e të cilit vetëm bashkimi kombëtar.
Kreu i PR, Kurti ka folur gjithashtu edhe për kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Hashim Thaçi të cilët merren me politika ditore dhe jo me problemet serioze që ka vendi. Faton Kurti, gjithashtu thotë se të dy shtetet shqiptare janë të inkriminuara.
“Si në Kosovë dhe gjithashtu në Shqipëri ne kemi një vend të kriminalizuar, të pa arsimuar. Ne sot kemi një artist, i ashtëquajtur artist, i cili ka patur vizion dhe dëshirë për t’u marrë me politikë. Si mund të merret dikush me politikë, që nuk ia ka idenë e politikës. Ne na ka dëmtuar shumë politikëbërja e keqe, jo kombëtare, populiste e Shqipërisë. Edi Rama na ka dëmtuar edhe ne.
Unë kam ikur nga Kosova, për studime, dhe kam ardhur këtu me ide të reja. Partia Republikane është relativisht e re. Në Shqipëri, pas komunizmit, lindi socializmi. Demokracinë shqiptarët nuk e njohin. Ne, si parti kemi si qëllim zhvillimin ekonomik, krijimin e vlerave, besim në zot, ligji për pronën.
Kosova na ka ne si alternativë, ndërsa Shqipëria s’ka alternativë”.
Kreu i PR, më tej shton se partia e tij dëshiron ribashkim kombëtar për zhvillimin e ekonomik të të dy vendeve.
“Politikanët e inkriminuar janë gati t’i vënë flakën vendit. Rama dhe Thaçi merren me politika ditore. Ndërsa shqetësim personal, unë kam ikjen masive të shqiptarëve. Në Kosovë, 1700 persona janë ende të zhdukur. Si fillim, ne duam të shpëtojmë Kosovën, dhe më pas Shqipërinë nga gjithçka. Ne duam ribashkim kombëtar, për zhvillim ekonomik të mirëqenë.”
(K.H/FAXWEB)