Kryeminsitri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës sa i përket zhvillimeve më të fundit në vend. Në intervistë ai u pyet edhe për krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, për të cilën Rama tha se nuk kishte lidhje me propagandën dhe kontrollin duke shtuar se shembulli për këtë ishte marrë nga Gjermania.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Në mbledhjen e parë të qeverisë ju miratuat ngritjen e Agjencisë për Media dhe Informim. Ky vendim ka hasur këto ditë kritika nga komuniteti i mediave në vend, duke shprehur shqetësim për një centralizim, propagandë dhe kontroll të informacionit, i cili u serviret i gatshëm. Si do t’iu përgjigjeshit ju kritikave të tyre?
Kryeministri Rama: Ky është një reagim që vjen me siguri nga mosnjohja dhe moskuptimi i rolit dhe i misionit të kësaj agjencie. Agjencia është ndërtuar mbi modele të konsoliduara në vende shumë të zhvilluara demokratike. Republika Federale e Gjermanisë e ka identikisht të tillë dhe, në fakt, prej shembullit të saj ne kemi krijuar këtë agjenci. Ata e quajnë Zyra për Mediat dhe Informimin e Qeverisë, ne e kemi Agjencia për Median dhe Informimin pranë Këshillit të Ministrave. Po kështu edhe Italia, po kështu edhe vende të tjera. Dhe kjo agjenci nuk ka lidhje fare as me propagandën as me kontrollin, por ka lidhje me një rritje të kapacitetit të qeverisë për të ndërvepruar me opinionin publik dhe me burimet e informacionit, në mënyrë që të garantojmë që informacioni, që kërkohet nga qeveria, të jetë sa më i shpejtë dhe njëkohësisht sa më integral në funksion të mediave dhe, nga ana tjetër, që qeveria të jetë në vijimësi e informuar dhe natyrisht e vetëdijshme deri në fund për opinionet e qytetarëve, për opinionet e mediave dhe opinionet në mjedisin pluralist shqiptar.