Anëtari i bordit drejtues të Bindjes Demokratike, Leonard Olli ishte i ftuar në studion e lajmeve të Televizionit të Fax News ku foli lidhur me vendimin e disa ish-funksionarëve të Partisë Demokratike për të krijuar një parti të re politike.
Olli tha se kjo parti është krijuar në rrethana të tilla kur ishte e nevojshme krijimi i një alternative politike, duke argumentuar se zgjidhjet në demokraci vijnë nëpërmjet sistemit si do që të jetë ai.
“Ne menduam që tashmë ishte momenti për të dhënë një alternativë. Nuk është një lëvizje për të përfituar karrierë politike. Jemi në një moment ku në të gjitha bisedat dëgjohet se të gjithë duan të ikin. A është kjo zgjidhja? E kam provuar vetë emigracionin dhe u ktheva me shpresën se ky vend do të bëhet, por a ia vlen dhe a ka kuptim të mendoj se duhet të iki sërish. Jo, ky vend do të bëhet dhe do të bëhet nga shqiptarët. Zgjidhjet demokratike në këtë lloj sistemi fatkeqësisht vijnë vetëm nëpërmjet sistemit si do që të jetë ai.
Nuk kemi qenë dakort me djegien e mandateve, ne jemi ai grup që pas zgjedhjeve të 2017 kërkuam një vizion të ri të lidershipit demokrat. Ne nuk ishim kundër marrëveshjes por ajo që solli marrëveshja e 17 majit, sidomos me listat, ishte e papranueshme. Nuk mund të vijë dikush nga rruga dhe të marrë drejtimin e televizionit kur nuk ka përvojën e kësaj pune, dhe kështu ndodhi edhe me ndërtimin dhe strukturimin e PD”.
Olli foli edhe për lëvizjen e organizuar vetëm pak kohë pas zgjedhjeve të përgjitshme të 2017 nga Astrit Patozi dhe disa ish-funksionarë të lartë të Partisë Demokratike, si dhe nuk la pa përmendur problemet që ka Kodi Zgjedhor.
“Ne përpara një viti ndërmorëm një lëvizje politike dhe çfarë ndodhi me propozimet që ne bëmë(?) Asgjë nuk është marrë parasysh. Ne kemi dy probleme madhore: 1. partitokracinë dhe 2. uzurpimin e të gjitha pushteteve nga Edi Rama. Unë as në ëndërra nuk e kam parë veten në drejtimin e PD pasi kam qenë i kënaqur në çdo nivel që kam marrë pjesë por nuk mund të ecet në këtë rrugë.
Kodin Zgjedhor i cili solli një kolaps kushtetues e solli Edi Rama dhe me të u godit në palcë sistemi, por nuk kishte pse opozita të binte pre e kurthit të Ramës. Përpjekja në atë kohë e Berishës për të futur Ramën në zgjedhje në një kohë që ai e kërkonte pushtetin në tavolinë, ishte edhe lëshimi duke pranuar kërkesën e tij”.
Olli deklarioi se Kryeministri Rama ka kapur sistemin dhe vetë ai është i kapur nga bandat duke argumentuar se mjeti i një zgjidhjeje për situaten nuk është largimi nga parlamenti por përdorimi i të gjitha mekanizmave për ta ndryshuar.
“Rama ka kapur sistemin, bandat kanë kapur Ramën, atëherë si do ta zgjidhim këtë gjë? Kodi Zgjedhor ka shumë mangësi, por ti nuk mund të kesh të drejtë ta lësh ndeshjen aforfe. Ti duke qenë në parlament, i ke të gjitha mjetet dhe mekanizmat për ta ndryshuar Kodin Zgjedhor.
Ne jemi në oponencë të fortë me qeverinë. Kushdo që na konsideron ndryshe e ka gabim. Opozitar është çdo kush që ndjehet i tillë dhe që e manifeston këtë gjë”.
Olli tha se nga pikëpamja e Komisionit të Venecias, nga OSBE-ODHIR dhe Kodit Zgjedhor parashikohet se nuk mund të shtyhen zgjedhjet më shumë se 6 muaj. “Do të bëhet një tjetër shkelje ligjore, çfarë mund të bëhet për një periudhë kaq të shkurtër kohore. Ky Kod duhet ndryshuar jo në formën e makiazhit por me rrënjë, në thelb”.
Ai tha se qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeje politike është ndryshimi në thelb i Kodit Zgjedhor, diçka e cila sipas tij i jep fund sitemit aktual politik.
Duke folur për raportet që ka kjo parti me deputeten Rudina Hajdari dhe se a do të jetë ajo pjesë e saj, Olli tha: “Zonja Hajdari ka qenë pro një lëvizjeje të re, ka qenë pro edhe ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Ne kemi kontakte me të, por a do të jetë ajo pjesë e këtij projekti politik!? Kjo varet nga bindjet personale të saj si të çdo kujt që ka lirinë e zgjedhjes”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)