Njb krim i rëndë brenda familjes tronditi dje Durrësin pasi djali i sapokthyer nga Italia qëlloi me armë zjarri prindërit e tij të moshuar, duke i lënë të vdekur.
Ky krim ndodhi në familjen Nika, ku autor është djali, Leonard Nika, 29 vjeç.
Mendohet se pas një sherri familjar, i riu qëlloi për vdekje babanë Ali Nika, 70 vjeç, dhe nënën Junije Nika, 66 vjeçe. “Shkak për krimin dyshohet të ketë qenë një debat mes dy prindërve dhe djalit të tyre. Ai është i tronditur dhe nuk ka dhënë asnjë version për ngjarjen, qëndron i heshtur dhe është mjaft i ngarkuar psikologjikisht”, njofton policia.
DETAJE NGA KRIMI
Sipas informacioneve të deritanishme i riu dyshohet se ka probleme psikologjike. Pasi kishte qëlluar nga një herë me çifte secilin prej prindërve, kishte dalë në rrugë me armën e zjarrit në dorë.
Komshinjtë dhe të afërmit që jetonin vetëm pak metra më tej kanë rendur drejt shtëpisë së familjes Nika për të kuptuar se çfarë po ndodhte, ndërsa kanë gjetur të shtrirë brenda në ambientet e banesës çiftin e moshuar të vdekur dhe të mbuluar nga gjaku.
Sipas “Panorama” çifti kishte gjashtë fëmijë, katër vajza dhe dy djem, ndërkohë që të gjithë jetojnë jashtë vendit. Pas sinjalizimit të dhënë nga banorët, në vendin e ngjarjes mbërritën uniformat blu.
“Motivi i ngjarjes për momentin mbetet mister, pasi autori, i cili është alternativa e vetme për të mësuar se cili ishte shkaku i konfliktit me prindërit është në gjendje të rënduar psikologjike dhe e ka të pamundur për të treguar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Ai qëndron i heshtur. Ka probleme psikologjike dhe do të gjejmë një moment tjetër për ta marrë në pyetje, pasi nuk është në gjendje të tregojë se çfarë ka ndodhur. Kemi mësuar se ai vuan nga depresioni dhe mjekohej prej disa kohësh nga kjo sëmundje”, thanë burime nga grupi hetimor.
Sipas të dhënave, pasi është kthyer nga Italia, ai e ka çuar bashkëshorten dhe fëmijën te prindërit e saj që të rrinin disa ditë. Ndërsa vetë kishte qëndruar me prindërit. (J.V/Shuplaka)