Pas dyshimeve të familjarëve se nuk bëhet fjalë për vetëhelmim dhe vrasje të bashkëshortit nga ana e 23-vjeçares Fatbardha Torra, policia po heton në pistën e vrasjes.
Detajet e reja të zbardhura lidhur me krimin e shënuar më 18 shkurt në fshatin Velçan të Pogradecit hedhin dyshimet se bashkëshortët Fatbardha dhe Erzen Torra janë vrarë nga një i afërm i tyre.
Vetë babai i Erzen Torrës mohoi mundësinë që nusja të ketë vrarë të birin e më pas veten, me pretendimin se ata shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin.
Trupat e pajetë të dy të rinjëve u gjetën nga vëllai i 26-vjeçarit, në një kasolle pranë banesës ku çifti jetonte.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk është 23-vjeçarja autore e krimit, por një i afërm i familjes Torra. Mësohet se në banesën e çiftit kishte një shumë të konsiderueshme parash që atyre u ishte dhënë nga prindërit që jetonin prej kohësh në SHBA, para që pas ngjarjes së rëndë janë zhdukur. Dyshohet se personi që ka kryer krimin, të ketë pasur dijeni për këto para.
Mësohet se Erzen Torrës nuk i janë gjetur as portofoli dhe as dokumentet e mjetit. (XH.A/SHUPLAKA)