Shtatë persona janë dënuar sëfundmi nga gjykata e Roterdamit me 5-7 vite burg. Ata akuzohen për përfshirje në transportin e 1125 kg kokaine. Mes të akuzuarve është edhe një shqiptar.
Droga me një vlerë rruge rreth 22 milion euro u fsheh në një ngarkesë peshku të ngrirë që transportohej me kontejnerë nga Ekuadori në Roterdam.
Policia ndoqi transportonin drejt një depoje në Zaandam. Në fund të korrikut, gjashtë nga shtatë të dyshuarit u arrestuan gjatë një aksioni në depo, përfshirë një shqiptar dhe një amerikan.
I dyshuari i shtatë, një burrë 48 vjeç, u arrestua në Hagë. Holandezi ishte organizatori i transportit.
Policia kontrolloi ndër të tjera ambientet e biznesit të burrit në Rijswijk dhe Alphen aan den Rijn dhe një karvan në Bergambacht. Përveç kësaj, u gjetën burime që përdoreshin për prodhimin e ekstazit.