Kryeministri Edi Rama në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit u shpreh kritik për punën e studiuesve aktualë, të cilët sipas tij nuk po bëjnë sa duhet për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Pedagogia Elsa Skënderi Rakipllari e quajti fyese gjuhën e përdorur nga Rama, ndërsa shtoi se kritikat nuk mund të bëhet nga persona, të cilët nuk kanë njohuritë e duhura mbi këtë fushë.
“Për mua ishte indinjuese mënyra se si iu drejtua [studiuesve të gjuhës] kryeministri. Ishte fyese, sepse askush nuk do të denjonte që njerëzve më të ditur, intelektualëve të këtij vendit, që kanë zgjedhur të rrinë në Shqipëri dhe jo të largohen t’u drejtohesh në këtë mënyrë, është jashtë çdo lloj etike dhe kryesisht ishte e papranueshëm”, tha Skënderi.
Sipas saj, politika në këtë 50-vjetor të drejtshkrimit duhet të linte kritikat dhe në vend të tyre të shtonte zërat buxhetor në mbështetje të kërkimit shkencor.
“Ajo që duhet të bënte politika në këtë 50-vjetor të Kongresit të Drejtshkrimit është më së pari të garantonte në mënyrë të kënaqshme mbështetje financiare për thellimin e kërkimit shkencor”, theksoi ajo.