Pas eleminimit të Gjermanisë që në fazën e grupeve nga Botërori, duket se zhgënjimi ka qenë mjaft i madh, dhe tifozët nuk kanë kursyer aspak Mesut Ozilin. Kjo ka bërë që babai i tij, Mustafa, ti kërkojë futbollistit që të largohet nga kombëtarja.
“Nëse do të isha në vendin e tij, do të thoja “mjaft më”. Mesut është fyer dhe zhgënjyer para Botërorit, në ndeshjen miqësore ndaj Austrisë. Askush nuk i doli në mbrojtje edhe pse ka 9 vjet që luan me fanellën e Gjermanisë”, deklaroi Mustafa për mediat.
“Njerëzit gjithnjë shprehen se nëse Gjermania fiton kjo është meritë e grupit, por nëse humbet kjo ndodh për faj të Ozil. Kjo është e turpshme. Mesut ka qenë një shembull gjatë gjithë këtyre viteve, ndaj po krijohet një situatë absurde. Ai e do Gjermaninë dhe e ka treguar gjithnjë këtë gjë, ndaj nuk është i ndershëm ky trajtim që po i bëhet”.
“Nuk është hera e parë që Mesut del në fotografi me Erdogan, por politika nuk ka përse të përzihet në çështjet private të lojtarit. Ne nuk jemi marrë asnjëherë me politikë, Mesut është një sportist dhe futbolli nuk ka të bëjë me politikë”, shtoi ai.
(E.K/FAXWEB.AL)