Udhëheqësit kryesorë të Iranit po shqyrtojnë mundësinë e shkarkimit të udhëheqësit të tyre, pasi sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të vendit ka përshkallëzuar tensionet në Lindjen e Mesme.
Dy burime të njohura me diskutimet i thanë “The Atlantic” se regjimi po diskuton shkarkimin e Ajatollah Ali Khameneit. Megjithatë, ata thanë se kjo ishte “vetëm një nga shumë” konsiderata. Siç tha një zyrtar, “të gjithë e dinë se ditët e Khameneit janë të numëruara”.
“Edhe nëse ai qëndron në detyrë, ai nuk do të ketë pushtet të vërtetë“, u shpreh ai.
Presion mbi Ajatollahun
Presioni për të larguar 86-vjeçarin Khamenei, sipas të njëjtave burime, ekzistonte që para sulmit amerikan, pasi ai është në moshë të shtyrë dhe përballet me probleme kronike shëndetësore.
Irani i ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara me hakmarrje “serioze” pas sulmit ndaj objekteve të tij bërthamore. Megjithatë, analistët shprehin dyshime rreth aftësisë së Teheranit për t’i bërë ballë një konflikti të njëkohshëm me SHBA-në dhe Izraelin, me të cilët është në konflikt për të 11-tën ditë.
Në të njëjtën kohë, Vladimir Putin premtoi mbështetjen e tij për Iranin dhe dënoi agresionin “e pabazuar” kundër aleatit të Rusisë. Kremlini paralajmëroi se sulmet amerikane hapën “kutinë e Pandorës” dhe rrezikuan “sigurinë dhe prosperitetin e njerëzimit në tërësi”.
Tentativa e vrasjes dhe trashëgimia
Teksa kriza në Iran thellohet, Ajatollah Khamenei thuhet se është tërhequr në një bunker nëntokësor. Tre zyrtarë iranianë i thanë New York Times se të gjitha komunikimet elektronike janë ndërprerë për shkak të frikës se ai është një objektiv për vrasje.
Në të njëjtën kohë, tre pasardhës të mundshëm janë emëruar tashmë në rast të vdekjes ose shkarkimit të tij. Një komitet prej tre anëtarësh i klerikëve të lartë të emëruar nga vetë Khamenei dy vjet më parë për të planifikuar trashëgiminë e tij po përshpejton procesin, pasi Izraeli thuhet se ka kërcënuar hapur ta eliminojë atë, sipas pesë burimeve që folën me Reuters.
Khamenei, i cili informohet rregullisht për bisedimet, është tërhequr me familjen e tij, nën mbrojtjen e njësisë elitare “Vali-e Amr” të Gardës Revolucionare, sipas një zyrtari të lartë të sigurisë iraniane.