20:23 | 27/05/2025
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Te Gjitha

“Kriza nuk zgjidhet si tërheqje litari, SHBA po ndihmon për një marrëveshje…”

15:06 | 20/03/2017
në Te Gjitha
0
“Kriza nuk zgjidhet si tërheqje litari, SHBA po ndihmon për një marrëveshje…”

Nga Preç Zogaj:

Intensiteti i artikulimeve dhe qëndrimeve amerikane për zhvillimet në Shqipëri ka qenë mjaft i lartë javën e fundit. Kanë folur senatorë dhe kongresmenë, ka folur ambasadori Donald Lu në Tiranë, është publikuar raporti vjetor i Departamentit të Shtetit, që është pa dyshim dokumenti zyrtar më i rëndësishëm i SHBA-ve për Shqipërinë.

Në faqet e tij ka gjetur një pasqyrim të gjerë dhe realist kuadri i problemeve dhe dukurive negative, që ka njohur vendi gjatë vitit 2016. Spikasin rritja e kultivimit të kanabisit, pastrimi i parave të pista, tranzitimi i drogave të forta, shkalla e lartë e kriminalitetit dhe informalitetit. Në këtë raport, situata e kriminalitetit në vend vjen edhe më e rëndë se ajo që njohim e dimë nga opozita apo mediat e vendit. Me të drejtë, gazeta “Panorama” e cilësonte një dokument “të frikshëm”. Kush ka menduar jo pa keqardhje deri dje se aleati strategjik kishte mbyllur një sy përkundrejt shumëfishimit të sipërfaqes së mbjellë me hashash nga viti 2015 në vitin 2016, konstaton me lehtësim se ka gabuar. SHBA ndjekin prioritete, por vëmendjes së tyre nuk u shpëton asgjë që dëmton interesat dhe demokracinë e një vendi mik si Shqipëria.

Publikimi i Raportit të Departamentit të Shtetit përkon në kohë me protestën pa afat të opozitës që po kërkon një qeveri teknike të zgjedhjeve, pikërisht për shkak të impaktit të provuar elektoral të drogës dhe krimit me mbështetje dhe përfshirje të qeverisë politike Rama-Meta. Pohimet e raportit të DASH-it kreditojnë dhe fuqizojnë vetvetiu arsyet e jashtëzakonshme që e kanë shtyrë opozitën në Shqipëri të shtrojë një kërkesë të pazakonshme. A ka këtu ndonjë sinkronizmim të DASH-it me opozitën e Lulzim Bashës në Shqipëri? Sinkronizmin në kuptimin e një bashkërendimi apo njëanshmërie politike nga SHBA nuk ka. Do të ishte amatoreske dhe shumë e kërkuar ta mendonim këtë. Por ka një “sinkronizim” të një natyre tjetër. E kam fjalën për të vërtetën e kanabizimit dhe promovimit të individëve me rekorde kriminale në Shqipëri. DASH dhe opozita takohen në pohimin e këtyre të vërtetave bërtitëse. Përjashtuar të marrët, vetëm armiqtë e demokracisë dhe Shqipërisë nuk do të donin ta vinin re kanabizimin dhe kriminalizimin si anë të së njëjtës medalje në gjoksin e qeverisë së Ramës. Sot edhe vetë Rama po ndërgjegjësohet, ma merr mendja, se nuk bën dot zgjedhje të lira edhe po të dojë. Nuk e lë sistemi, nuk e lë përbindëshi që krijoi për arsye të vogla apo të mëdha- nuk ka rëndësi. Rama ia bëri vendit, por ia bëri edhe vetes dhe duhet të paguajë. Nuk mund të thotë solla malavitën dhe kanabizimin, por nuk paguaj asgjë. Qeveria teknike për zgjedhje të lira e të barabarta është çmimi, por edhe shpëtimi për të dhe forcën që drejton.

Dokumenti tjetër amerikan që përfshin Shqipërinë është një projektrezolutë e njëmbëdhjetë kongresmenëve amerikanë, të cilët kërkojnë t’i kushtohet vëmendje angazhimit të Federatës ruse në një fushatë të gjerë sulmesh kibernetike dhe dezinformuese për të influencuar politikën dhe zgjedhjet në të gjithë Europën, në rastin konkret në Francë, Gjermani, Serbi dhe Shqipëri, që janë vendet ku do të ketë zgjedhje gjatë këtij viti. “Zyrtarët rusë, thuhet në këtë dokument, -kanë shprehur dëshirën e tyre për të ndarë NATO-n, dobësuar institucionet demokratike dhe mbështetur ekstremistë, kandidatë pro Moskës në të gjithë Europën”. Projektrezolutën në fjalë e kanë firmosur nëntë kongresmenë republikanë dhe dy kongresmenë demokratë, që do të thotë se ajo ka e do të këtë një mbështetje të gjerë në Kongres. Është një rezolutë që adreson një problem të madh gjeostrategjik në shkallë kontinentale dhe botërore, siç është ruajtja dhe forcimi i Aleancës Euroatlantike, zgjerimi në perspektivë i NATO-s me vendet e reja kandidate apo aspirante, si Maqedonia, Kosova, e tjerë. Në këtë kontekst, Rezoluta shtron me një theks të fortë, në dritën edhe të hulumtimeve dhe reflektimeve për zgjedhjet e fundit në SHBA, çështjen e ndërhyrjeve dhe influencave ruse për të ndryshuar apo tjetërsuar orientimin politik të vendeve të ndryshme në Europë dhe në Ballkan, që janë ose aspirojnë të jenë pjesë e Aleancës Euroatlantike. Shqipëria përmendet me emër në këtë rezolutë. Në fakt, ka kohë që vendi ynë është bërë subjekt i kësaj vigjilence nga ana e aleatit strategjik. Ndaj Tirana politike duhet ta marrë shumë seriozisht këtë çështje. Ku, si, qysh mund të shtrihet ky lloj ndikimi rus në Shqipëri? Euroatlantizmi është vokacioni dhe zgjedhja e shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk ndryshon. Çdo ndryshim kursi në këtë aspekt ka qenë i imponuar, i dhunshëm. Partitë tona kryesore, PD, PS, LSI, PR dhe gjithë të tjerat, në fakt, janë euroatllantike në program. S’mund të jenë ndryshe. Ambiguiteti politik me orientimin, ngado që të vijë, është antipopullor dhe pa perspektivë.

Dokumenti i tretë është letra e gjashtë senatorëve republikanë drejtuar Sekretarit të Shtetit, Tillerson, në të cilën senatorët shprehin shqetësimin e tyre lidhur me pretendimet që kanë dëgjuar nga udhëheqës të respektuar në Shqipëri se Zyra e Fondacionit “Shoqëria e Hapur” (Fondacioni “Soros”), me ekspertët e saj, e mbështetur me fonde nga USAID, ”ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën e Gjyqësorit në Shqipëri. Disa udhëheqës në vend besojnë se këto “reforma” kanë për synim t’i japin Kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor”, thuhet në letër. Mbetet për t’u verifikuar nga marrësi i kësaj letre, zoti Tillerson, a janë Soros dhe fondacioni tij në Tiranë hartuesit e dokumentit strategjik për Reformën në Drejtësi- ky pretendim del për herë të parë në këtë formë në referimin e gjashtë senatorëve për Sekretarin e Shtetit, Tillerson. Por është fakt se në fillimet e veta, kjo “reformë” ka qenë konceptuar fund e krye në funksion të kapjes së Drejtësisë nga Edi Rama me stafin e tij. Siç është fakt se, falë qëndrimit të opozitës dhe kreut të saj Lulzim Basha, falë angazhimit të Komisionit të Venecias, të zv.sekretares së Shtetit, Nuland, të komisionerit të BE-së për Zgjerimin Hahn dhe shumë personaliteteve nga Brukseli dhe Uashingtoni, Reforma në Drejtësi erdhi në formën që u votua konsensualisht më 22 korrik të vitit të kaluar, për çfarë zoti Basha mori përgëzime telefonike nga Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel. Letra e senatorëve nuk e sqaron nëse shqetësimi real i kapjes së Drejtë- sisë nga Kryeministri Rama ka të bëjë me reformën kushtetuese të 22 korrikut, çfarë nënkupton rrëzimin e saj, pra eliminimin në themel të Reformës në Drejtësi, apo shqetësimi lidhet me ligjet që derivojnë nga Kushtetuta e 22 korrikut. Vetë opozita duhet të investohet për sqarimin e kësaj paqartësie. Opozitës nuk i intereson në asnjë lloj skenari zhbërja e reformës konsensuale të 22 korrikut. Në deklaratën me katër pika të kërkesave të saj, ajo ka përfshirë në një paketë të vetme kërkesën për qeverinë teknike të zgjedhjeve të lira, me angazhimin për zbatimin e Reformës në Drejtësi, sipas përcaktimeve të 22 korrikut. Është një lidhje që pajton dy kauza komplementare me njëratjetrën; një lidhje që fuqizon aksionin e opozitës brenda e jashtë vendit dhe afron zgjidhjen me marrëveshje të krizës.

Si një dekriptim i kësaj shprese vijnë prononcimet e fundit të ambasadorit amerikan Donald Lu, që ka thënë se 2017-ta do të jetë një vit i shkëlqyer për Shqipërinë. Sepse do të jetë viti kur nis zbatimi i Reformës në Drejtësi; do të jetë viti i zgjedhjeve parlamentare, që do ta vënë Shqipërinë në një kurs demokratik për katër vite stabiliteti politik dhe përparimi më të madh drejt të ardhmes europiane të Shqipërisë- profecia e zoti Lu.

Të gjitha këto qëndrime nga institucione dhe personalitete amerikane kanë si fill të përbashkët vullnetin e SHBA-ve për të ndihmuar Shqipërinë në sfidat e saj të momentit dhe të së ardhmes. E gjithë gama e problematikave dhe trajtimeve në fjalë diktojnë një marrëveshje politike euroatlantike mes qeverisë dhe opozitës për të gjitha çështjet e mëdha të aktualitetit dhe, pse jo, të perspektivës. E kemi nënvizuar disa herë se kriza e sotme politike në Shqipëri nuk ka të ngjashme. Ajo nuk zgjidhet si tërheqje litari, si provë force apo kokëfortësie. Ajo zgjidhet në rrafshin e së drejtës. Protesta pa afat i ka ekspozuar dhe vijon t’i ekspozojë çdo ditë në sytë e publikut dhe ndërkombëtarëve arsyet që e kanë shtyrë opozitën të kërkojë qeveri teknike. Ajo vetëm i shton mbështetësit.

Pas

“Mos more djalë se do përfundosh si Duçja”, Plasari-Bashës: Shtrembërove fjalën time, nuk ju referova Ramës

Para

“E bëj për para”, skandali i seksit në Bari, djemtë e mitur prostituojnë në rrugë (VIDEO)

Para
“E bëj për para”, skandali i seksit në Bari, djemtë e mitur prostituojnë në rrugë (VIDEO)

“E bëj për para”, skandali i seksit në Bari, djemtë e mitur prostituojnë në rrugë (VIDEO)

Discussion about this post

 



Të Fundit

Deputetët francezë mbështesin ligjin që lejon eutanazinë

Politico: Administrata Trump do të monitorojë rrjetet sociale të studentëve të huaj që kërkojnë viza

PD ankimon Shkodrën në KAS: Të shpallen të pavlefshme dhe të përsëriten zgjedhjet në qarkun e Shkodrës

Ka ardhur droga e re, ‘Yellow Zushi’! U zbulua në valixhen e një 39-vjeçari. Po e transportonte në Shqipëri

EMRI+FOTO/ E rëndë në Itali – 39-vjeçari shqiptar aksidentohet për vdekje teksa ishte nisur për në punë

Trump kërcënon Kaliforninë me ndërprerje fondesh pas pjesëmarrjes së sportistes transgjinore në garat e femrave

Hetime për krime zgjedhore në Elbasan/ Kontrolle në banesën e një biznesmeni, gjenden para

Kërcënim global për shëndetin, epidemitë rikthehen për shkak të rënies së programeve të vaksinimit

Ancelotti nis punën, publikon listën e Brazilit për dy sfidat e qershorit

Transferimi i katërt në Gjadër/ Anija “Spica” niset nga Brindisi, 30 emigrantë me kombësi të ndryshme drejt Shqipërisë

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.