Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të insistojë në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se kjo përpjekje ka dështuar në gjashtë raunde votimi. Deputetët e Kuvendit nuk kanë arritur të konstituohen as pas njëmbëdhjetë tentimeve, duke thelluar ngërçin institucional.
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, deklaroi se propozimi i Haxhiut mbetet në fuqi dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë votim të fshehtë në seancën e radhës. Sipas tij, kjo formë votimi do t’u jepte deputetëve lirinë për të votuar pa presion partiak.
“Nuk besoj e kanë problem ata [opozita] emrin e përveçëm. Thjesht është një veprim bllokues dhe për të cilin besoj se këdo që do të vendosim do të vepronin njëjtë, pa marrë parasysh se deklaratat janë ndryshe. E propozuara jonë për kryetare të Kuvendit mbetet Albulena Haxhiu”, deklaroi Abrashi për Kosovapress.
LVV pretendon se ka votat për formimin e qeverisë, por konstituimi i Kuvendit mbetet pengesa kryesore. Abrashi theksoi se kriza aktuale është pasojë e refuzimeve nga partitë opozitare dhe se qytetarët tashmë po e kuptojnë se kush është përgjegjës për bllokadën.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e tretë të Albin Kurtit për një koalicion dhe ka propozuar formimin e një qeverie tranzicionale deri në vitin 2026, ide që është pranuar vetëm nga AAK-ja deri tani.
Përballë dështimeve të njëpasnjëshme, zgjedhjet e parakohshme po përmenden si zgjidhje e fundit nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet në ditët në vijim.