Drejtuesja e misionit të ODHIR në vendin tonë, Audrey Glover ka mbërritur në selinë e PS-së ku do të ketë një takim me kryeministrin Rama, një javë para zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Për herë të parë në këto 30 vite demokraci, zgjedhjet do të zhvillohen pa praninë e opozitës, dhe në shumicën dërrmuese të bashkive të vendit nuk do të ketë garë.
Paraditen e sotme PS pati një mbledhje kryesie, ku Rama kërkoi që të garantohej mbarëvajtja e zgjedhjeve të 30 Qershorit, si dhe vijoi me kërcënimet se kush cënon votën do të përballet me ligjin.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se pas mbledhjes së Kryesisë, ku dha dhe porositë për zgjedhjet, Rama zhvilloi një takim me Tom Doshin, kandidatin e PS-së për Bashkinë e Shkodrës Valdrin Pjetri si dhe me kreun e grupit parlamentar Taulant Balla.
Nga ana tjetër edhe në selinë blu kanë nisur lëvizjet, ku kryedemokrati Basha do të ketë një takim me aleatët e tij, ku pritet të vendoset lidhur me aksionin që do të vijojë opozita.
Kjo pritet të jetë një javë vendimtare për fatet politike të vendit, për shkak se opozita e bashkuar lançoi të premten e protestës se do të ketë protesta në çdo Bashki ku do të shkojë Rama, për të prezantuar kandidatët.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një dorë të jashtme, që të rikthejë forcat politike në shinat e dialogut dhe të gjetjes së një marrëveshje në minutat e fundit.
(E.K/Faxweb.al)