Kancelarja Angela Merkel ka pritur sot ish-Presidentin e SHBA Barak Obama në një takim privat në zyrën e saj në Berlin.
Sipas Daily Mail, takimi i cili është cilësuar si privat midis dy ish-kolegëve ndërkombëtarë, ka pasur të pranishëm edhe zyrtarë të tjerë gjerman.
Ky takim mes miqsh, sipas zëdhënësit të Merkelit, Steffen Seibert, është një ndër takimet të cilat kancelaria herë pas here kryen me ish-krerët e shteteve dhe qeverive “me të cilët ka punuar mirë për një kohë të gjatë”.
Ai tha se takimi nuk ka lidhje me mardhëniet aktuale Gjermani- SHBA. Ndërkohë që, i pyetur nëse kjo ishte një sinjal për Presidentin Donald Trump, me të cilin Gjermania ka një marrëdhënie të komplikuar, Seibert u përgjigj: “Me vendosmëri do ta refuzoja këtë përshtypje”.
Merkel dhe Obama janë takuar në Berlin për herë të fundit që kur ish-presidenti u largua nga zyra, duke marrë pjesë në një diskutim në një konferencë të majit 2017.
Ajo çfarë bie në sy nga ky takim, është edhe një foto e cila po qarkullon nëpër mediat e huaja, ku Obama dhe Merkel shfaqen mjaft afër njëri-tjetrit.
Një miqësi është zhvilluar midis Obamës dhe Merkel gjatë mandatit të tij 8 vjeçar si president. Ndërkohë, takimi vjen pak para vizitës së Merkel në SHBA në fund të Majit, për të mbajtur një fjalim në ceremoninë e diplomimit në universitetin amerikan Harvard University.
Obama ndodhet që nga e enjtja, në një vizitë disa ditore në Gjermani. Mbrëmjen e të enjtes ai mbajti një fjalim për klimën, para një audience prej 14,000 personash në Lanxess Arena të Këlnit.
Ish presidenti tha se ishte i sigurt dhe optimist, se Shtetet e Bashkuara së shpejti do të jenë një lider në mbrojtjen e klimës përsëri, dhe se e kuptonte, siç u shpreh ai, që shumë njerëzve iu ka ardhur “në maj të hundës” qëndrimi i qeverisë aktuale të SHBA-së. Por ata nuk duhet të harronin se shteti liberal i Kalifornisë, sipas tij, po zbaton vazhdimisht Marrëveshjen e Klimës së Parisit.
Obama po ashtu u shpreh, shpresa për mbrojtjen mjedisore ndodhet tek të rinjtë: “Nëse të gjithë të rinjtë shkuan në votime dhe votuan për partitë miqësore me klimën, ato mund të sjellin ndryshime shumë shpejt”.