Qendrat e votimit në të gjithë Kroacinë u hapën në orën 06:00 për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, në një garë ku kandidatët nga dy partitë më të mëdha janë konkurrentët kryesorë. Rreth 3.8 milionë kroatë kanë të drejtë vote për të zgjedhur një nga tetë kandidatët, tre prej të cilëve janë gra. Presidenti aktual, Zoran Milanovic, kandidati i Partisë Socialiste Demokrate të opozitës, do të kandidojë për një mandat të dytë.
Konkurrenti i tij kryesor është Dragan Primorac, një ish-ministër i Shkencës i mbështetur nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), partia që drejton qeverinë. Zgjedhjet do të kalojnë në një raund të dytë nëse asnjë nga kandidatët nuk fiton shumicën e votave. Milanovic ka udhëhequr në sondazhet para dhe pas fushatës zgjedhore. Sondazhi më i fundit i publikuar të premten nga Nova TV Daily Neës tregoi Milanovicin në krye me 37.2% mbështetje kundrejt Primoracit me 20.4% mbështetje.
Pas Milanovicit dhe Primoracit janë dy gra – kandidatja e pavarur Marija Selak Raspudic dhe Ivana Kekin nga partia e majtë dhe e gjelbër We Can! (Mozemo), të cilat kanë marrë rreth 10% mbështetje secila në sondazh. Qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00 dhe sondazhet e exit-poll pritet të publikohen disa minuta më vonë. Rezultatet e para paraprake do të bëhen të ditura rreth orës 19:00 GMT dhe rezultatet zyrtare priten në ditët në vazhdim, shkruan Reuters.
Roli presidencial në Kroaci është kryesisht ceremonial pasi kreu i shtetit nuk mund të vërë veto mbi ligjet. Në publikun kroat, Milanoviç është vendosur në pozitën e kritikut më të ashpër të qeverisë së kryeministrit dhe presidentit të HDZ-së, Andrej Plenkoviç në pesë vitet e mandatit të tij presidencial, dhe ai vazhdoi me retorikën e tij të ashpër edhe gjatë kësaj fushate.
Këto janë zgjedhjet e teta presidenciale në Kroaci që nga pavarësia. Presidenti zgjidhet për një mandat pesëvjeçar dhe mund të zgjidhet maksimumi dy herë.