Të gjithë e mbajnë mend deklaratën e parë të kryeministrit Rama në Zululand ku ai habiti me vlerësimet e tij për kandidatin asokohe Trump nga radha e republikanëve ku ai e quajti një fatkeqësi për Amerikën dhe një injorant. Ai foli gjerësisht për rrezikun e terrorizimit dhe krizën me të cilën po përballet Europa. Rama kritikoi hapur vecanërisht deklaratat e Trump për myslimanët. Dhe një pjesë mund t’i japin të drejtë në këtë drejtim. Rama nuk u mjaftua me kaq por disa kohë më pas në CNN, në sytë e amerikanëve ai u shpreh se zgjedhja e Trump president do t’i bënte shumë dëm Amerikës.
Por, Trump fiton zgjedhjet e 8 Nëntorit dhe e gjithë bota bie në një gjendje shoku. Klinton pritej të triumfonte, por Trump i antiestablishmentit ja doli të habiste edhe kritikët e tij më të mëdhenj. Rama prej ditësh më pas nuk po reagonte, kritikët e tij u shprehën se disa prej komenteve të tij anti Trump ishin sponsorizuar prej Soros. Megjithatë Rama e uroi Trump për zgjedhjen e tij në krye të Amerikës, kësaj aleateje të madhe të kombit shqiptar. Por mesa duket, Rama ka bërë një ndryshim 180 gradë, duke kthyer mbrapsht ato që ka thënë. Në letrën e 20 janarit, Rama i shkruan Trump: Unë besoj fort se nën lidershipin tuaj, partneriteti ynë strategjik do të konsolidohet e forcohet më tej, sidomos në fushën e sigurisë dhe atë të bashkëpunimit ekonomik.
Sot, kryeministri Rama shpërndan një shkrim ku për herë të parë ai përmend Trump me një lloj krenarie sepse ai i kishte dërguar një kthim urimi për inaugurimin e tij. Mesazhi që Trump i kishte shkruar Ramës ishte pothuajse identik me atë që i kishte dërguar presidentit Nishani. Megjithatë Rama e shpërndau për të treguar mbështetjen potenciale që Amerika ka për të. Asnjë nuk ka pasur dyshim se Rama, kryeministri i Shqipërisë sonë të vogël (jo vetëm në territor) do ta pranonte liderin e vendit më të fuqishëm në botë por jo një ndryshim kaq radikal të tij.
Megjithatë Rama e justifikoi mosqëndrueshmërinë e deklaratave dhe opinioneve të tij për të me faktin që ai në atë kohë ishte kandidat dhe sot i zgjedhur. Por shumë e shohin këtë një mungesë diplomacie dhe një tendence për të marrë staturën një lideri global që nuk përfaqëson Amerikën e madhe por Shqipërinë e vogël.
E shqiptarët mund të pyesin: Cfarë e bëri kryeministrin Rama të ndryshojë kaq shumë? A është kjo një tentativë për të arrnuar një diplomaci jokorrekte? (M.D/ Shuplaka)