Toni Kroos është në fushatë të plotë marketingu për të promovuar dokumentarin e tij të ri. Dje, ai ishte mysafir në programin televiziv gjerman “Lanz”, ku foli për fqinjin e tij në Madrid, Cristiano Ronaldo, dhe “barbecue” (mënyrë gatimi në zgarë) e organizuar nga ylli portugez. “Ata më të zhurmshmit mblidheshin në shtëpinë e tij, të shijonin zgarën e Ronaldos, – shpjegoi mesfushori i bardhë, që nënvizoi se nuk i frekuentonte dhe aq biftekët e CR7, pasi e kishte zakon të hante gjëra të tjera. – Mund të ketë ndodhur që t’iu kërkoja edhe qetësi herë pas here”, – shtoi ai me të qeshur.
Gjermani, gjithashtu, foli për grupin e WhatsApp që ndan me shokët e tij. Edhe pse nuk donte të hynte në detaje, kampioni i botës në vitin 2014 tha: “Ndodh që jemi rrugës për ndonjë ndeshje (në autobus, ose avion) dhe bisedojmë përmes këtij rrjeti social. Gjithmonë është ndonjëri që e zë gjumi, por me WhatsApp arrijmë ta kontaktojmë e ta mbajmë pjesë të bisedës”.
Sigurisht, futbolli nuk ka shumë rëndësi për Kroos, kur arrin në shtëpinë e tij: “Familja vjen së pari. Kur hyj në derën e shtëpisë, fëmijët e mi nuk më pyesin fare nëse kam fituar 5-0, apo kam humbur”. Sa për sot, mesfushori i Real Madridit nuk ka dashur t’iu hyjë vlerësimeve, por ka shprehur besim të plotë te kubi i bardhë: “Ne kemi një skuadër të mirë. Mbaj mend sa të fortë kemi qenë gjatë viteve dhe gjithmonë të suksesshëm. Pas një viti më pak të suksesshëm është normale, sidomos në Madrid, të bëhen ndryshime”.
Ish-lojtari i Bayernit dhe Leverkusen nuk pranoi ta konsideronte të mbyllur merkaton e “Los Blancos” për këtë verë, por theksoi besimin e tij te suksesi: “Nuk e di nëse merkatoja është mbyllur apo jo. Jam i sigurt se bordi i drejtorëve do të ndërtojë një ekip të nivelit të lartë, që do të luftojë për gjithçka, diçka që ne e kemi demonstruar gjatë disa viteve të fundit”.