Tajar Agolli, vëllai më i vogël i të ndjerit Dritëro, ende nuk e ka marrë veten nga dhimbja që i ka shkaktuar ndarja nga jeta e shkrimtarit të njohur.
Inxhinier elektrik në profesion, i disiplinuar në regjim, rrëfen detaje nga fëmijëria e tij me Dritërion, si rrodhi jeta e tyre, bashkëjetesa e Dritëroti me Ninën, lindja e djalit dhe arsyeja e ndarjes së tyre.
Në intervistë të dhënë për një të përditshme ai rrefen edhe momentin e ardhjes së ish-gruas ruse të Agollit në Tiranë. Pasi Dritëroi dashuroi me Ninën ndërsa ishte student në Rusi ai i dërgonte shumë letra të vëllait ku edhe e këshillonte për njeriun e jetës.
“Në 5 vjet që studioi atje erdhi vetëm një herë. Por me mua shkëmbente letra. Më shkruante për jetën atje dhe më porosiste se isha në një moshë që duhet të krijoja familjen dhe më thoshte se duhet të kisha shumë kujdes kur të zgjidhja njeriun e jetës. Në atë kohë, Dritëroi ishte dashuruar me Ninën dhe ai më fliste si vëllai i madh”, shprehet i vëllai.
Ai shton se Dritëroi i kishte thënë se dashurote një vajzë ruse dhe që ishte për gjuhë të huaja në Anglisht, kishte qenë në shtëpi të saj. “Dritëroi erdhi në korrik në Shqipëri dhe Nina do të vinte në shtator bashkë me djalin. Dritëroi përgatiti terrenin në familje, u foli prindërve për këtë martesë. Bëmë regjistrimin në shtëpinë time, në Kinostudio, ku banonim në një dhomë e kuzhinë. Erdhi Nina bashkë me djalin, i cili ishte një bardhosh i bukur. Dritëroi punonte te “Zëri i Popullit” dhe shkonte nga Kinostudioja deri në gazetë me një biçikletë ruse “Riga”, që e kishte sjellë prej andej”, shpehet i vëllai.
Vëllai ma tregon edhe momentin kur jetoni të gjithë në një shtëpi.
“Në një dhomë e kuzhinë jetonim të gjithë bashkë, babai, unë, motra me një fëmijë dhe në dhomën e gjumit Dritëroi me Ninën dhe djalin. Babai ishte pak i ashpër për këtë lidhje, por Dritëroi e zbuti sepse ai e dëgjonte shumë. Nina ishte shumë e lidhur me të motrën, shkëmbenin shumë letra mes tyre. Kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, Nina fliste me nënë Hatixhenë për Krushovin me një lloj simpatie. Dhe nënë Hatixheja një moment i thotë: “Krushovi… Krushovi ç’më flet për atë që ma ka kokën kaq të madhe?!”. Kjo nuk i pëlqeu shumë Ninës, e cila nuk shprehu gjë, por ne e kuptonim simpatinë që ajo kishte për udhëheqësin sovjetik”.
Sipas tij aryeja pse Nina u largua nga Shqipëria ishte për ta lënë Dritëroin të qetë të krijojë dhe prodhojë letërsi sepse ia njihte talentin. “Nina u largua e fundit nga të gjitha ruset që ishin martuar me shqiptarë, apo punonin në Shqipëri. Edhe vëllai i Mehmet Shehut ishte martuar me ruse, por Nina nuk kishte lidhje me të. Shumica e tyre u përzunë nga Shqipëria, ndërsa Nina nuk u përzu. Nina tha unë do të iki nga Shqipëria për ta lënë Dritëroin të qetë të krijojë dhe prodhojë letërsi sepse ia njihte talentin. E kishte frikën se mund ta sulmonin Dritëroin me shpifje, sepse kishin filluar t’i shikonin me sy tjetër rusët që ishin në Shqipëri”, tha Tajari.
Momenti i ndarjes ka qenë shumë vështirë pasi Nina iku edhe me djalin e saj 7 vjeçar. “Nina iku për në avion bashkë me djalin 7 vjeç. Ishte një moment shumë i rëndë. Dritëroi filloi të nxirrte lot. Nuk e mbajti dot veten. Unë nuk e kisha parë ndonjëherë Dritëroin të qante. Qau për djalin, se për Ninën duket se ishte thyer dashuria mes tyre. Një herë kur e kanë pyetur, ka thënë se më vinte keq për Ninën se “Më donte shumë, prandaj dhe u martova”. Prandaj ma përsëriste vazhdimisht këtë, që vendimi për të gjetur njeriun e jetës duhet të jetë shumë i matur dhe i pjekur. Dritëroi kishte mbetur vetëm tani dhe kërkoi që prindërit të shkonin të jetonin me të, sepse Dritëroi kishte dalë më vete me shtëpi”, tha ai.
Nina në këtë periudhë nuk kishte asnjë komunikim me Dritëroin. “Por Nina dërgonte letra te motra ime, por me shumë kujdes sepse mund të të akuzonin për spiunazh. Me letrat çonte edhe ndonjë dhuratë të vogël. Sebep u bë Sadija, për hir të djalit. Ajo gërmoi se ku janë e ku s’janë të dhënat dhe i gjeti adresën Ninës, foli edhe me Ninën dhe arritën që të takoheshin përsëri në Shën Petërburg. Kur shkoi herën e parë në Shën Petërburg, Dritëroi takoi djalin e më pas takoi ish-gruan e tij në shtëpinë e saj. Ajo ishte shumë e prekur dhe duket se ishte bërë pishman që ishte martuar me një tjetër. Dritëroi nuk kishte ndonjë pishman sepse kishte krijuar familjen e tij dhe ishte i lumtur me gruan dhe fëmijët. “, tha ai. (J.V/Shuplaka)