Ditën e djeshme në pothuajse të gjitha mediet qarkullonte lajmi se kryetari i Bashkisë së Hasit Adem Lala kishte kërcënuar gazetarin Isa Myzyraj. Sipas gazetarit shkak për këtë ishte bërë një shkrim që ai kishte publikuar në lidhje me ndihmën ekonomike të familjeve të Hasit.
Si provë për këtë Myzyraj kishte publikuar një audio që sipas tij ishte e Lalës në të cilën ai ishte kërcënuar.
Nga ana tjetër në një intervistë për ‘Shuplaka’-në Lala thotë që zëri në audio nuk është i tij por i Përgjegjësit të Sektorit të Ndihmës Ekonomike në Has, Shani Kastratit.
Kryebashkiaku i Hasit vijon më tej duke thënë se ai do të padisë edhe mediat që publikuan këtë lajm të pavërtetë, pa u munduar të vërtetonin se zëri në audio nuk ishte i tij.
Nga ana tjetër gazetari Isa Myzyraj ka sjellë te ‘Shuplaka’ dhe një audio të takimit në Durrës që e publikojmë më poshtë.*
INTERVISTA e PLOTË:
SHUPLAKA: Cili është versioni juaj i ngjarjeve, duke qenë që është publikuar në media një bisedë telefonike…
ADEM LALA: Kjo është më e forta se nuk është biseda ime ajo.
SHUPLAKA: Si nuk është biseda juaj?
ADEM LALA: Jo s’është biseda ime fare. S’jam unë në atë bisedë.
SHUPLAKA: Z.Lala, si është versioni juaj i ngjarjeve? Sot mediet kanë publikuar një bisedë ku ju dëgjoheni që përdorni fjalor të rëndë me një gazetar….
ADEM LALA: Po pra. Po nuk është e imja
SHUPLAKA: Nuk është biseda juaj?! Absolutisht jo. Është vetëm një falsifikim, vetëm prishje imazhi është edhe s’ka asgjë të vërtetë!
SHUPLAKA: Ju nuk keni folur ndonjëherë me këtë gazetar?
ADEM LALA: Në telefon?
SHUPLAKA: Po
ADEM LALA: Absolutisht jo! Kam folur..kam qenë në Tiranë, më ka kërkuar për kafe. Tha jam në Durrës, ku do pimë kafe si do pimë kafe.Dhe kaq se unë me të atin kam hyrje-dalje dhe jemi miq. Jemi të lidhur në të gjitha anët.
SHUPLAKA: Pra ju mohoni kategorikisht që është zëri juaj në atë bisedë?
ADEM LALA: Absolute jo! Çfarë flet! Kjo është gjëja më e rëndë që mund të kenë nxjerrë ata aty. SHUPLAKA: Pra nuk jeni ju në këtë bisedë. Kush është në këtë bisedë?
ADEM LALA: Është…
SHUPLAKA: Cili punonjës?
ADEM LALA: Shani e ka emrin. Është punonjës i ndihmës ekonomike.
SHUPLAKA: Mbiemrin?
ADEM LALA: Kastrati
SHUPLAKA: Shani Kastrati?
ADEM LALA: Po. Është e verifikueshme ajo.
SHUPLAKA: T’ju pyes pak për marrëdhëniet që keni me këtë gazetar. E njihni?
ADEM LALA: Unë gazetarin e kam takuar për herë të parë në Durrës.
SHUPLAKA: Para sa kohësh?
ADEM LALA: Para dy javësh. Nuk jam shumë i saktë, por mendoj para 2 javësh
SHUPLAKA: Ai ka bërë një shkrim te disa portale…
ADEM LALA: Ai nuk është dhe gazetar se është student në Durrës dhe unë më saktë e sqarova me të. Edhe e pashë shkrimin.
SHUPLAKA: Çfarë shkrimi kanë bërë?
ADEM LALA: Ai kishte shkruar një shkrim që kryetari i Bashkisë së Hasit, ose Bashkia Has i ka përgjysmuar ndihmën ekonomike familjarëve të Hasit, ja çfarë po u bën kryetari i bashkisë, po ua ndal frymën…gjëra të gjitha të paqena. Tani njerëzit rrinë gjithë ditën nëpër këto faqe dhe më marrin në telefon. Thashë s’ka asgjë të vërtetë kjo punë.
Mirëpo ky çuni që merret me ndihmën ekonomike e njihte se vëllai i tij e kishte shokun e vet edhe ia ka bërë këtë telefonatën. Pas kësaj telefonate, u bë një shkrim te faqja e ”Facebook”-ut të Bashkisë dhe thuhet që nuk janë të vërteta dhe një shprehje ishte në fund ”Qentë le të lehin, ne do të punojmë më shumë. Edhe pas ca kohësh ky vazhdoi prapë, duke u gric, sepse është nga pjesa ekstreme e politikës.
SHUPLAKA: Cila pjesë ekstreme?
ADEM LALA: Nga pjesa e gjoja të persektumëve, të vujturve dhe e pashë që po reagonte, po ngacmonte dhe thoshte gjëra të paqena. Unë e marr të atin në telefon dhe i them ”O filani”. E ka emrin Dan. I thashë ”Shife atë çunin se ça po shkruan se nuk e di ku do me dalë.
SHUPLAKA: Pra ju morët babain e gazetarit që e ka emrin Dan? Edhe çfarë ndodhi?
ADEM LALA: Unë në isha në Tiranë në kohën që mora në telefon Danin edhe më tha i shkreti, do ta sqaroj këtë punë, ku merret me këto faqe, i lodhur atje në fshat. Më merr në telefon ky çuni edhe më thotë mua: ”si je kryetar?”, ”mirë”, ”Jam filani”, ”O si je?”, ”Mirë”. Tha desha me pi një kafë. Po i thashë kur të dush. Desha me pi një kafe. Hajde i thashë jam në Tiranë.
Jo unë tha rri në Durrës nuk vij dot në Tiranë. Po mirë i thashë sot jam i zënë, nesër vij unë nga Durrësi pasdite pimë një kafe. Ok, ok! Mbasdite e marr në telefon, ”ku je?”, ”Jam në Durrës”, ”Hajt se po vij”. Vete unë në Durrës edhe fillon duke më parallisur mua, sepse ai është tip provokator. Edhe e pyes ”si je”, se ka qenë sëmurë në fakt, ka patur një epilepsi kur ka qenë i vogël, më kishte thënë i ati. ”Çfarë bën”, i them unë, ”Jam student”, tha. Vit të tretë më duket se ishte.
”Unë punoj edhe natën tha, jam sportelist në një hotel” Kohën e kam të zënë, merrem me punë”, tha. Epo mirë shyqyr. I thashe: çfarë halli ke, pse merresh me një punë që nuk është e vërtetë? Mirëpo ai nga mënyra më provokonte edhe mua, më provokonte por unë s’e dita që ishte duke më regjistruar. Ky ka qenë takim në tavolinë. Jo në telefon.
SHUPLAKA: Pra kjo bisedë që ka publikuar nuk është fare e vërtetë?
ADEM LALA: Jo, jo, jo! Prisni nesër në prokurori.
SHUPLAKA: Ju do denonconi gazetarin në prokurori që kjo bisedë që ai ka publikuar…
ADEM LALA: Jo. ”Panorama”-n që e ka shpall, që e ka qit online. Gazetën, se gazeta përshkruan diçka sipër dhe e shoqëron me videon e huj.
SHUPLAKA: Pra ai ka nxjerrë zërin e Z.Shani Kastrati, sikur është zëri juaj?
ADEM LALA: Po! Bravo kjo është!
SHUPLAKA: Cfarë ndodhi tjetër gjatë takimit tuaj në Durrës?
ADEM LALA: ”Ti je sa çuni im o burrë i dheut”, i thashë. Hajde në Has, verifikoje. Nuk është e vërtetë! Një bisedë tepër të lirë, kemi bërë aq bisedë sa, tani ka patur edhe ndonjë fjalë, por as e kam ofenduar, diçka të vogël edhe mund ta kem bërë, të jem i sinqertë, por jo të shkojë punë deri atje sa ta shaj. Më vonë mora vesh që më ka regjistru edhe mua, në Durrës. Në telefon s’kam folur fare!
SHUPLAKA: Pra kjo bisedë që është publikuar sot, nuk është biseda që keni publikuar në Durrës?
ADEM LALA: Jo në mënyrë absolute! Durrësin e ka qit në gazetë, ka bërë ca shkrime.
SHUPLAKA: Si u ndatë përfundimisht në bisedë në Durrës?
ADEM LALA: O ti djalë i thashë shiko punën tënde. Nëse ke nevojë hajde. Je gazetar i vogël dhe nëse shkruan budalliqe do humbasësh fare, ti nuk je as gazetar! Se ai s’është as gazetar..
SHUPLAKA: U ndatë pastaj? Secili shkoi në punën e vet?
ADEM LALA: Absolutisht !
SHUPLAKA: Pas publikimit të audios në media, cili do të jetë veprimi juaj?
ADEM LALA: Pas kësaj që kam dëgjuar unë jam i shokuar, ta them sinqerisht, sepse tani për momentin jam në familje, jemi të indinjuar nga kjo punë se nuk ekziston e tillë.
SHUPLAKA: Familja besoj e kupton që nuk është zëri juaj, e ka dëgjuar audion apo jo? Familja e Hasi, çfarë flet! Apo kanë dyshime ende?
ADEM LALA: Në mënyrë absolute! As që bëhet fjalë! Jo më ai fjalor! Ajo vërtetohet. Do ta marrësh Shaniun dhe do të tregojë Shaniu vetë.
SHUPLAKA: Çfarë do bëni ju në ditët në vijim?
ADEM LALA: Unë do të ndjek hapat ligjore, meqë kjo punë është diçka e stisur, me integritetin tim, unë do ndjek rrugën gjyqësore, do t’i shkoj deri në fund zgjidhjes së problemit. Është dikush pas atij gazetari, nuk është ai vetë!
SHUPLAKA: Keni kontaktuar me Z.Shani?
ADEM LALA: Po pas kësaj, e kontaktova. Tha unë mbase i kam marrë gjërat personale, diçka e tillë.
SHUPLAKA: Çfarë pozicioni ka në bashki Z.SHani?
ADEM LALA: Është përgjegjësi i sektorit të ndihmës ekonomike. Është djalë i mirë, i përkushtuar! Nuk është nga ata djemtë, mirëpo padrejtësitë ndonjëherë të nxjerrin jashtë natyre. Provokimet. E ka provoku ai!
SHUPLAKA: Çfarë do bëni me Z.Kastrati se dëgjohet që ka një fjalor jashtëzakonisht të rëndë. Çfarë masash do merrni ndaj punonjësit tuaj?
ADEM LALA: Do t’i shohim gjërat se ai ka bërë dhe një denoncim në prokurori ndaj meje.
SHUPLAKA: Gazetari ndaj jush?
ADEM LALA: Po. Do t’i ndjekim problemet në rrugë institucionale, me prokurori, gjykatë, do t’i shkojmë deri në fund problemit sepse është një problem i stisur. Se di kujt i intereson. Biles kur më mori në telefon, kam qenë i habitur. Unë e kam mbaruar shkollën herët dhe nuk rri në këto faqe dhe u shqetësova, se thashë ç’është kjo punë kështu! Pastaj zonat tona janë zona që po panë diçka, e ”dha televizori”, thonë, janë me mendimin e vjetër akoma. Unë mendoj se është shantazh i atij djalit, gazetar po e quaj, se i dinë tipet tona paksa implusiv dhe ka bërë shantazh sidomos ndaj meje që më ka thirr në Durrës, imagjino të shkojë kryetari i Bashkisë të takojë një kalama në Durrës!
SHUPLAKA: Shantazh e quani edhe ndaj zotit Kastrati, i cili e ka fyer jashtëzakonisht dhe e ka shantazhuar sipas zërit që dëgjojmë?!
ADEM LALA: Ai e ka provokuar dhe ai ka rënë preh e provokimit. Ai ka rënë pre e gazetarit, ai është i ndërgjegjshëm edhe vetë që ka rënë pre e atij. Pastaj këta kanë bërë edhe një veprim tjetër. Gjatë kohës që isha në Durrës më thotë mua më kanë kërcënuar me vdekje. I thashë kush të ka kërcënuar? Ma thuaj me emër. S’ta them emrin! Nuk më tregonte gjallë!
SHUPLAKA: Më vonë ç’ka ndodhur?
ADEM LALA: Ka folur me babanë e tij në fshatin Dobrun dhe kanë bërë një lëvizje, janë larguar nga Hasi , ndodhemi të kërcënuar, për jetën, nuk ekziston ajo punë fare dhe siç duket këta të Partisë Demokratike i kanë siguruar një strehim në Tiranë, nën pretekstin që personi ndodhet i kërcënuar dhe ka ikur nga fshati.
SHUPLAKA: Po ç’lidhje ka PD me gazetarin?
ADEM LALA: Po ashtu është, kanë një ideal. Janë të idealit.
SHUPLAKA: Gazetari është pjesë e PD-së?
ADEM LALA: Në mënyrë absolute ai nuk është gazetar, është student por e kanë përdorur! Është edhe një faqe këtu, që nuk dihet se kush e menaxhon por gjithçka shkon sipas gazetarit.
SHUPLAKA: Ju po thoni se e kanë përdorur, por unë po ju bëj pyetjen për Z.Kastrati. A e keni përdorur ju Z.Kastrati për të shantazhuar këtë gazetar?
ADEM LALA: Jo! S’bëhet fjalë. As nuk kam komunikuar fare me Kastratin.
SHUPLAKA: Pra Kastrati nuk e ka ditur fare çështjen tuaj?
ADEM LALA: Në mënyrë absolute! Ma merr mendja se regjistrimi i Kastratit është para se ta takoja unë gazetarin. Ai më tha vetë, e kam të inçizuar, është një person. Kush është ai person i thashë? S’tregonte gjallë! Kjo është e gjitha./SHUPLAKA
Discussion about this post