Kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kanë uruar besimtarët myslimanë për Muajin e Shenjtë të Ramazanit ndërsa kanë përmendur edhe faktin e pamundësisë së tyre për të frekuentuar xhamitë.
Basha shprehet se duhet të bashkohemi sot të gjithë në urimin për agjërim të lehtë e të pranuar!
“Të dashur vëllezër dhe motra që nesër kremtoni ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit!
Gjatë këtij muaji, sakrificës së agjërimit i shtohet edhe pamundësia për tu falur në xhamitë e mbyllura për shkak të pandemisë. Por shtëpitë dhe shpirtat e besimtarëve do të përndriten nga lutjet ndaj Krijuesit të Plotfuqishëm, dhe zemrat do të dlirësohen nga agjërimi dhe thellimi në meditim.
Ndaj le të bashkohemi sot të gjithë në urimin për agjërim të lehtë e të pranuar! Zoti i dëgjoftë lutjet e besimtarëve çdo mëngjes e mbrëmje dhe na faltë bekimin dhe mëshirën e tij! Sakrifica e agjëruesve gjatë këtij muaji shërbeftë për lehtësimin e dhimbjeve dhe sprovave me të cilat po përballen shqiptarët!
Zoti ju mbrojtë dhe ju dhëntë shpërblesë të shumëfishtë për sakrificën tuaj!”, shkruan Basha.
Nga ana e saj, Kryemadhi thotë se ndonëse kushte të vështira prej pandemisë e distancimit fizik, ‘uroj të mundësojë ky muaj i shenjtë më shumë lidhje shpirtërore me njëri-tjetrin, pasi ajo që kemi më së shumti nevojë dhe ajo që nuk mund të karantinohet kurrë është dashuria’.
“Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit!
Hëna e natës së sotme do të ndriçojë edhe rrugëtimin e motrave dhe vëllezërve tanë myslimanë, të cilët nisin një muaj adhurimi, sakrifice dhe dedikimi drejt lartësimit shpirtëror, përmes lutjeve, bamirësisë dhe agjërimit.
Lutjet e mia shkojnë për një agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë besimtarët mysliman! Qoftë ky muaj i paqes shpirtërore, mundësi për më të pamundurit dhe shëndet i mirë në një kohë të vështirë, siç është dhe kjo që po jetojmë!
Bekimet e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, rizgjojnë te njeriu vlerat më të mira të tij në lidhjen me Zotin, marrëdhënien me familjen, por dhe sjelljen në shoqëri.
Ndonëse në kushte të vështira prej pandemisë e distancimit fizik, uroj të mundësojë ky muaj i shenjtë më shumë lidhje shpirtërore me njëri-tjetrin, pasi ajo që kemi më së shumti nevojë dhe ajo që nuk mund të karantinohet kurrë është dashuria.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!“, shkruan Kryemadhi.
(F.GJ/FAXWEB.AL)