Gjatë një takimi me strukturat e LSI në qytetin e Fierit, kryetarja e kësaj force politike nuk i ka nguruar akuzat për kryeministrin Edi Rama.
Ajo tha se Rama ka si qëllim të zhbëj dhe të kapë Reformën në Drejtësi. Po ashtu duke komentuar deklarat e kryeministrit disa ditë më parë, për vendosjen e matësëve në puset e ujit, Kryemadhi u shpreh se “Edi Rama kërkon t’i vendosë matësa puseve të ujit, por ju e dini shumë mirë sesi Edi Rama nuk i ka vënë matësa puseve të naftës. Kjo pasuri është shpërdoruar dhe qytetarët nuk kanë përfituar.”, tha ajo.
Fjala e plotë:
Në fakt në mbledhjen e fundit që bëtë unë nuk isha e pranishme, por do ta rregulloj gabimin dhe do të vijë shumë më shumë sesa kam vajtur në rreth e tjera. Dhe kjo për një arsye më shumë që Qarku i Fierit është një nga bastionet më të forta, më energjike dhe më të mëdha që ka LSI.
Dua ta filloj këtë fjalë me falënderimin nga zemra, me mirënjohje dhe përulje për të gjithë ju që jeni përballur me një sfidë të jashtëzakonshme, jeni përballur me një terror, qoftë ky politik apo policor. Mbi të gjitha keni përballuar të gjithë atë intimidim që iu është bërë juve dhe të gjithë votuesve të LSI-së. Votat e LSI-së në Fier janë vota zemre, janë vota gjaku, janë vota mundi por mbi të gjitha janë ato vota të cilat nuk i prek dot dhe nuk i cenon dot askush, kushdo qoftë ai.
Sot, ne jemi në një moment shumë të vështirë për Shqipërinë. Jo pa qëllim zgjodhëm të jemi në opozitë. Për të qenë në opozitë dhe jo pjesë e tepsisë së llumit dhe të krimit por për të qenë në opozitë si zëri i së vërtetës, drita e syrit e shqiptarëve dhe për të qenë zemra dhe pasioni i shqiptarëve, ajo që ata e kanë ëndërruar me qindra dhe mijëra vite. Atë pasion, atë dashuri, atë atdhedashuri, atë krenari për të cilën shqiptarët kanë dhënë jetën për ta mbrojtur dhe për ta vlerësuar sot Edi Rama e ka shtrirë në tepsinë e tij dhe e ka lënë peng në dorën e krimit të organizuar, të bandave dhe të trafikut.
Para disa vitesh takonim miq të huaj dhe ishim krenarë për të qenurit shqiptarë. Vetë Papa Françesku kur erdhi në Shqipëri, ju e mbani mend çfarë publiciteti të jashtëzakonshëm i bëri Shqipërisë, i bëri bashkëjetesës shqiptare, i bëri rinisë shqiptare sepse mikpritja që atij iu bë vinte nga një pjesëmarrje jashtëzakonisht e madhe nga të rinjtë.
Sot jemi kokulur nga mënyra se si Edi Rama po e drejton shtetin dhe Shqipërinë. Edi Rama sot është telekomanda në duart e krimit të organizuar dhe të bandave. Ne nuk ndihemi krenarë por të nënshtruar dhe kemi vetëm një rrugë: atë të zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe rrugën e zgjimit të të gjithë shqiptarëve për të ndryshuar këtë realitet të dhimbshëm.
Çdo ditë e më shumë shqiptarët kanë nevojë për punë. Besoj ju e ndjeni më shumë nga të gjithë papunësia vjen duke u rritur, çdo ditë dhe më shumë çmimet vijnë duke u rritur, taksat vijnë duke u rritur, kur ndërkohë pagesa ngel në vend, kur ndërkohë jeta është e njëjte dhe familje të tëra që jetojnë jo vetëm pa ndihmën ekonomike por familje të tëra të cilat shesin shpirtin për të ushqyer fëmijët e jo më për të blerë librat e shkollës, apo këpucët për të vajtur në shkollë. Ne do të përplasemi dhe do të përballemi me këtë realitet për të vetmen arsye sepse nuk kemi rrugë tjetër. Ne kishim dhe rrugën e kompromisit të vegjetimit, rrugën e marrëveshjes për të qenë pjesë e një koalicioni i cili ishte një koalicion hipokrit. Besoj se pjesa më e madhe e juaja e ka ndier në vitet e bashkëqeverisjes, ishim të gjithë pjesë e përfshirë, të cilët ne i qëndruam mjaft korrekt por mbyllëm dhe gojën dhe sytë për hir të reformës në drejtësi.
Besoj që të gjithë e mbani mend intimidimin që i bënin LSI, media të ndryshme, ambasadorë të ndryshëm apo dhe qeveritar të PS, kur thonin që LSI nuk është pro reformës. Dua t’jua bëj të qartë njëherë e përgjithmonë, e kam thënë me të huaj dhe me të brendshëm në media dhe dua ta ripërsëris edhe njëherë. LSI ka qenë e vetmja parti politike e cila votat e saj i la peng në Ëashington dhe në Bruksel, pra votat e LSI ishin vota të cilat shkonin në krah të reformës për drejtësi. Për shkak të kësaj reforme ne mbyllëm gojën në publik për të folur për atë çka po ndodhte me institucionet e shtetit shqiptar dhe sot ne do të mbajmë kusuret tona mbi kurriz për të vazhduar atë proces që kemi nisur.
Edhe pse rilindja nuk i qëndroi marrëveshjes së reformës në drejtësi e cila po e çbën e cila po e deformon e cila çdo ditë dhe më shumë po hedh poshtë çdo plan ose çdo strukturë që specialistët apo konsulentët e huaj për të cilët ju i keni dëgjuar vetë që ambasadorja i BE foli për qindra mijëra dhe miliona euro konsulencë ligjore për reformën sot nga Komisioni i ligjeve besoj që e dini të gjithë që drejtohet nga Ulsi Manja, e gjithë kjo asistencë, e gjithë kjo konsulencë hidhet poshtë dhe sillen ligje të tjera të cilat ne i kemi kaluar me konsensus si dhe ligjet e tjera të cilat i shërbejnë vetëm një qëllimi kapjes së reformës në drejtësi. Megjithatë populli do të thotë çme duhet mua Reforma në Drejtësi me ligjet që kemi kaluar deri tani, asnjë fukara, asnjë njeri i papunë nuk do të ketë shansin të përballet me ta sepse nuk do të ketë para për të paguar për gjyqin, nuk do të ketë para për të hapur një çështje në gjykatë por thotë çfarë do ta ha unë. Sot shqiptarët janë më të varfër se para 20 viteve, po të shikosh në masën e fitimit që marrin, pagën që marrin për shkak të çmimeve dhe taksave që janë vendosur. Edi Rama kërkon ti vendos matësa puseve të ujit por ju që jeni këtu në Fier e dini shumë mirë që ai nuk ka vendosur matësa puseve të naftës edhe e dini shumë mirë sesi kjo pasuri nëntokësorë është shpërdoruar është vjedhur dhe asgjë nuk është kthyer në funksion të këtij qyteti, në funksion të këtyre njerëzve dhe në funksion të atyre qindra dhe mijëra naftëtarëve apo atij populli i cili ka sakrifikuar.
Ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh sot me shëndetësinë, e dimë shumë mirë se çfarë ndodh sot me arsimin, e dimë shumë mirë se çfarë ndodh sot me taksat e tmerrshme dhe me vendosjen e TVSH-së që do të vendosë Edi Rama për biznesin e vogël, që do të thotë me qindra mijëra njerëz dalin të papunë. Kemi kuptuar që qeveria e sotme e Rilindjes ka vetëm një qëllim, rilindjen e krimit, rilindjen e varfërisë dhe rilindjen e shkatërrimit dhe të shpopullimit të Shqipërisë. Ju besoj që të gjithë e dini që të gjithë po luftojmë, po përballemi me një dilemë brenda vetes sonë.
Nëse do të rrimë në Shqipëri apo nëse do të ikim, do të mbledhim ça kemi dhe do të ikim njëherë e përgjithmonë për mos ta kthyer kokën prapa. Unë në momentin që Petrit Vasili bashkë me Ilir Meten propozuan që të merrja drejtimin e LSI,kisha një dilemë shumë të madhe dhe dilema ishte nëse a do të jem unë e zonja për ta drejtuar LSI. Nëse un jam e vetme kjo gjë është e pamundur por jam e bindur se nëse ne do të jemi të gjithë bashkë kjo parti nuk do të jetë një parti politike por do të jetë një uragan politik që do të çoj çdo padrejtësi në kazanin e plehrave të historisë shqiptare dhe do të kthej identitetin, dinjitetin dhe krenarinë shqiptarëve dhe të rinjve tanë.Unë besoj të forca juaj, besoj te shpresa dhe besimi juaj sepse zgjedhjet e 25 qershorit treguan edhe një herë se sa e fortë, se sa solide dhe e qëndrueshme është Lëvizja Socialiste për Integrim. Nuk dua të zgjatem shumë sepse dua të flasë edhe Petrit Vasili dhe dua që të flisni, që bashkërisht ta kthejmë në formën e një bashkëbisedimi. Kemi një mision, një mision shumë të rëndësishëm për të kuptuar të ardhmen e saj. Misioni nuk është për mua apo për Petritin, por misioni ynë është për të gjithë ata djemtë dhe ato vajzat e reja, të cilët kanë humbur shpresën në Shqipëri.
Duhet t’i kthejmë shpresën të rinjve në mënyrë të tillë që të ndërtojnë të ardhmen dhe familjen e tyre në Shqipëri sepse vetëm kështu ky vend mund të bëhet dhe mund t’i rezistojë kësaj plage të thellë që ka krijuar Edi Rama. E them me bindje të plotë që vetëm kështu mund ta realizojmë. U deshën qindra dhe mijëra shekuj dhe nuk e lëkundën dot këtë komb dhe këtë vend, nuk mund të vijë një njeri që vesh poturet dhe të zhbëjë vendin e tij që se bënë dot me qindra mijëra vite, me shekuj të tërë, me kultura të ndryshme, nga veri në jug për të deformuar këtë komb dhe pushtet. Prandaj, ky është një mision që hyjmë në histori si njerëzit që i bëmë barrikadë të keqes, të poshtrës dhe të pabesës këtij vendi. Unë iu uroj gjithë të mirat e bindje dhe besim që do kemi një betejë shumë të madhe, betejë me varfërinë sepse shqiptarët janë të varfër, me papunësinë, korrupsionin dhe me tundimin brenda vetes sonë. Të gjithë bashkë ne do t’i mundim këto, veç e veç kjo gjë është e pamundur. Zoti ju ruajt ju dhe familjet tuaja dhe të gjithëve së bashku. Faleminderit!
(S.SH/Faxweb)