Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka sulmuar ashpër Ramën nga foltorja e Kuvendit në lidhje me programin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme.
Kryemadhi e ka quajtur programin e Ramës një fletë të pavlerë e cila nuk trajton problemet e shqiptarëve por do të jetë në të mirë të oligarkëve të kryeministrit të cilin Kryemadhi e quajti si më të mirin për oligarkët dhe më të keqin për shqiptarët.
“Rama paraqiti një fletushkë qytetarëve. Nuk ka rritje ekonomike të vërtetë pa rritje direkte të të ardhurave te qytetarët. Shqiptarët janë varfëruar më shumë. Sot shqiptari blen më pak bukë se çmimet janë rritur”, tha ajo ndër të tjera, duke akuzuar Ramën edhe për blerje votash.
Ajo gjithashtu akuzoi ashpër qeverinë në lidhje me rendin publik duke thënë se kriminelët lëvizin lirshëm.
“Si mund të krekoset kjo qeveri ku kriminelët lëvizin lirshëm, kanë kapur për fyti ekonominë dhe sistemin finaciar”, tha Kryemadhi.
Më pas ajo paralajmëroi Ramën duke thënë se duhet ta harrojë se mund të luajë me opozitën me diversion apo blerje votash.
“Pasi manipuloi dhe bleu timonin për të rrëmbyer gjithë tepsinë si tahmaqar, tani nuk ka hallin si të qeveris me përgjegjësi para vendit e qytetarëve, por se si të drejtojë edhe opozitën përmes diversioneve, blerjeve, presioneve e shantazhev. Por ta harrojë ky kryeministër i votës së blerë, të paktën nga sot e në të ardhmen se do luaj me opozitën dhe demokracinë, ashtu si ka bërë deri tani.
Mos të harrojë asnjëherë, ky kryeministër i pakicës së shqiptarëve, se shumica dërrmuese e shoqërisë është në opozitë me këtë qeveri dhe këtë do e tregojnë shqiptarët shumë shpejt. Ne sapo kemi filluar këtë rrugëtim së bashku me shqiptarët për t’ju dhënë atyre shpresë se ky vënd mund të bëhet”, tha ajo.(B.H/Shuplaka)