Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë një takimit me strukturat e LSI-së në Shkodër u shpreh se LSI-së po i kushton një vëmendje zgjedhjeve të 30 qershorit pasi sipas saj do të tregojnë se zgjedhjet e 25 qershori 2017 nuk ishin zgjedhje të lira por të deformuara me bandat kriminale që i dhanë mandatet mazhorancës së sotme.
Zgjedhjet
“Zgjedhjet e 30 qershorit kanë një rëndësi të vecantë sepse do tregojnë se 25 qershori 2017 nuk ishin zgjedhje të lira por të deformuara me bandat kriminale që i dhanë mandatet mazhorancës së sotme.
Qyteti i Shkodrës ka qenë një nga qytetet më të kërcënuara nga bandat e krimit të organizuar. Sot në qytetin e Shkodrës nuk flitet për kulturën, zhvillimin ekonomik por si njerëzit ti mbijetojnë bandave dhe krimit”, u shpreh në fjalën e saj kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Kryemadhi solli një shembull gjatë kohës kur LSI ishte në bashkëqeverisje me PS. Ajo tha se gjatë kohës kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga LSI, 800 fermërë përfituan projekte vetëm në një vit në rrethin e Dibrës, ndërkohë që tashmë që kjo ministri drejtohet vetëm nga Rilindja, në qarkun e Dibrës është fituar vetëm një projekt.
“Sot ai ka shansin ti ketë të gjitha vetë, edhe kazanin, edhe çorbën, edhe tepsinë, edhe byrekun, edhe garuzhden, edhe shushunjat. Kjo tregoi që kontributi i LSI në qeverisjen e kaluar ka qenë jashtëzakonisht i madh, ka qenë një qeverisje e cila me kushtet me të cilat ajo drejtonte, ministrat e LSI kanë qenë njerëzit të cilët kanë bërë më shumë se kushdo tjetër, edhe pse kryeministri me vendimet që merrte i sabotonte në punën e tyre”, tha Kryemadhi e cila theksoi se LSI u ka shërbyer qindra familjeve, ndërsa Rilindja i shërben vetëm një njeriu.
Axhenda politike
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha se nuk është kryeministri Rama ai që dikton axhendën e opozitës. Ajo theksoi se është opozita që e ka në dorë ta rrëzojë Edi Ramën, edhe me votë, edhe me protesta:
“Dhe kur them që shqiptarët ndihen të nervozuar sepse nuk ka shpresë dua të them që kushdo është më i mirë se Edi Rama. Ne e kemi në dorë për ta larguar dhe rrëzuar Edi Ramën, edhe me votë, edhe me protestë si të na dojë qejfi ne. Nuk na e dikton dot ne Edi Rama axhendën donë politike, jo vetëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por nuk e dikton dot Edi Rama axhendën politike të opozitës”.
Protesta e banorëve të Astirit
Nga Shkodra Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka komentuar sërish çështjen e banorëve të Unazës së Re, për të cilët tha se ata duhet të dëmshpërblehen, ndërsa akuzoi kryeministrin se me anë të këtij projekti po siguron hapësira ndërtimi për oligarkët dhe klientët e tij.
“Po e bën me qytetarët e Tiranës, ku i mashtroi dhe i intimidoi dhe i kërcënoi për ti marrë votën në 2017, tashmë sposton shtratin e Lanës për të krijuar hapësira ndërtimi për oligarkët dhe për klientët e tij me të ashtuquajturën “rrugë”. Të na thotë Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, sa kushton projekti i rrugës që ai do të ndërtojë mbi pronat e qytetarëve? Ku do ti gjejë paratë dhe si do të financohen këto projekte? Përse duhet të prishen aq shumë ndërtime dhe aq shumë biznese për një projekt të tillë që në fakt nuk janë më shumë se 100 shtëpi?”
Projektbuxheti 2019
Kryemadhi nga Shkodra gjithashtu komentoi diskutimet për buxhetin e vitit 2019 duke e konsideruar si një buxhet që vjedh paratë e shqiptarëve dhe thjesht do pasurojë xhepat e oligarkëve, dhe nuk do të bëjë asgjë për qytetarët.
“Ky buxhet shqiptarëve ju vjedh vetëm për 2019 edhe 100 milionë të tjera euro nga taksat e tyre për tua dhënë koncesionarëve, të cilët janë klientët apo dhe frekuentuesit e Kryeministrit sharlatan Edi Rama. Shikojmë një buxhet që iu vjedh paratë qytetarëve shqiptarë për ti dhënë te ashtuquajturës shëndetësi falas. Jam e bindur që pjesa më e madhe e juaja nëse trokisni në dyert e spitaleve apo ambulancave do të shikoni që shëndetësia falas është thjesht një slogan i trilluar. Nuk po flas më për arsimimin që po kthehet në de arsimim të brezit të ri, nuk po flas për vendet e reja të punës të cilat i janë premtuar shqiptarëve mbi 300 mijë, por në fakt nuk kemi 300 mijë vende të reja pune, por kemi 400 mijë shqiptarë të shpërngulur, nuk po flas për infrastrukturën që çdo ditë rëndohet sepse ka një strategji mbrapa kësaj infrastrukturë për tu dhënë me koncesion të drejtpërdrejte në mënyrë të tillë që të pastrohen paratë e drogës dhe të krimit të organizuar apo ekonomisw apo rendit”, është shprehur kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi
Discussion about this post