Avokati Spartak Ngjela ka bërë një analizë të gjatë pse, sipas tij, shoqëria shqiptare nuk është zhvilluar. Në “Facebook”, Ngjela ka renditur sektorët e arsimit, të shkencësm të komunikimit, të drejtësisë, etj., si pikat kyçe që e çojnë një shoqëri drejt evoluimit.
Por për avokatin, zhvillimi i këtyre sektorëve është penguar nga drejtuesit politikë. Sipas tij, për shkak të degradimit të arsimit, injorantët u emëruan në administratë. Ngjela u shpreh se në kohën e kryeministrit Edi Rama gjendja kriminale në administratë ka arritur kulmin.
“Një tmerr i vërtetë: korrupsioni shtetëror u bë dominant në drejtimin e shtetit shqiptar. Injorantët e emëruar në “pikat e mjaltit” ishin vjelës të ardhurash korruptive, por edhe pagues të regullt të ministrave që i kishin emëruar.
Zhvillimi kombëtar mori fund, kurse shteti shqiptar u bashkua me krimin, sepse kjo është natyra parësore e korrupsionit shtetëror. Të gjithë kryeministrat u bashkuan me krimin e organizuar, kurse kryeministri aktual është kampioni i kësaj gjendjeje të kriminalizuar të administratës shtetërore”, tha Spartak Ngjela.
Teksa bën analizë edhe për sektorët e tjerë, avokati ka shtuar se tani shqiptarët presin që Struktura e Posaçme Antikorrupsion të nisë hetimet kundër figurave që kanë luftuar kundër zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
“E pse të zgjatemi: pyetja që ngrihet këtu duhet të jetë kjo: a do ta hetojë Byroja Kombëtare e Hetimit dge SPAK këtë batërdi antishqiptare? Këta duhet ta hetojnë, sepse hetimi dhe agjencitë informative amerikane i kanë të faktuara, kurse shqiptarët duan të dëgjojnë të vërtetën nga hetimet: përse gjithë ky mllef antishqiptar kundër prosperitetit të shoqërisë shqiptare?”, u shpreh Spartak Ngjela.
Postimi i plotë i Spartak Ngjelës:
Korrupsioni i lartë shtetëror ka ndaluar historinë evolutive të Shqipërisë. Historia reale e një kombi ndalon atëherë kur kësaj shoqërie i ka ndaluar evolucioni. Korrupsionet kryeministrorë që pasuan njëri-tjetrin në Shqipëri, tani kuptohet se kanë ndaluar evolucionin e shoqërisë shqiptare.
Ndalimi i evolucionit shoqëror, në thelb është ndalim i historisë evolutive për atë shoqëri. Por, cilët janë ingredientet e një evolucioni në zhvillimin kombëtar në një shtet apo në një shoqëri të caktuar? Ata janë: Arsimi, prodhimi, shkenca, gjuha, komunikimi, liria shoqërore, liria politike, liria ekonomike, liria e shtypit, media dhe fjala e lirë, drejtësia.
Të gjithë këta ingredientë në Shqipëri janë jashtë zhvillimit, prandaj ka ndaluar evolucioni shqiptar, i cili ka ndaluar evolucionin e koshiencës shqiptare dhe njëherësh, ka ndaluar vetë historinë.Arsimi dhe shkenca.
Arsimi shqiptar sot është në dekadencë të plotë. Gjendja e tij e rëndë dhe nën cilësinë mesatare nuk është një gjë që ka ardhur nga rasti. Cilësia e arsimit u godit nga politika që në vitin 1992. Në fillim u godit universiteti, pastaj, me sistem, u godit në mënyrë drastike edhe shkolla e mesme. U trajtuan mësuesit e gjimnazeve si hamej rrugësh, dhe u fut në arsim injoranca në mësimdhënie. Pas kësaj filloi shitja e notës, dhe shitja e diplomave.
Për 15 vjet Shqipëria kaloi në injorancë, pa gjimnaze cilësorë, pa shkolla profesionale, dhe, hyri në analfabetizm me një përqindje që në Europë quhet shumë e lartë. E gjitha kjo ishte në fakt skema antintelektualiste e injorancës politike. Luftë kundër intelektit të kualifikuar, dhe sidomos luftë kundër akademizmit. Pikërisht në këtë kohë, kur arsimi cilësor kishte marrë fund, u hodhën në treg minimumi pesë universitete privatë që iu shisnin diploma kujdo.
Pas kësaj, ata që ishin krijuesit e kësaj gjendjeje, hapën dyert e administratës shtetërore për punësimin masiv të diplomës së blerë. Pas këtij procesi disavjeçar injoranca pushtoi edhe administratën shtetërore. Një tmerr i vërtetë: korrupsioni shtetëror u bë dominant në drejtimin e shtetit shqiptar. Injorantët e emëruar në “pikat e mjaltit” ishin vjelës të ardhurash korruptive, por edhe pagues të regullt të ministrave që i kishin emëruar. Zhvillimi kombëtar mori fund, kurse shteti shqiptar u bashkua me krimin, sepse kjo është natyra parësore e korrupsionit shtetëror.
Të gjithë kryeministrat u bashkuan me krimin e organizuar, kurse kryeministri aktual është kampioni i kësaj gjendjeje të kriminalizuar të administratës shtetërore. Shkenca dhe prodhimi industrial: Bashkë me rënien drastike të cilësisë së arsimit, u godit paralelisht edhe shkenca. Kjo në fakt është rrjedhojë e histerisë antidije që u vendos në Shqipëri.
Që nga viti 1992 e deri në vitin 1994 u mbyllën të gjithë institutet shkencorë. Pas njëzet vjetësh në Shqipëri nuk mund të flitej më për mendim shkencor në asnjë fushë. Njerëzit e shkencës u punësuan në Perëndim. Në Shqipëri sundoi troklliku dhe vobegtësia mendore Berisha. Por kjo gjendje nuk ndryshoi as pas rënies së Sali Berishës. Pse?
Kjo kuptohet: sepse është kërkesë e antishqiptarizmit shekullor. Lufta kundër shqiptarizmit ka qenë gjithmonë luftë kundër arsimit shqiptar, dhe dihet se, rrafshimi i arsimit sjell me vete edhe likuidimin e shkencës. Kjo është arsyeja që shoqëria shqiptare tani është nën një krizë të rëndë të intelektit. Por, paralel me goditjen antishkencore, që në vitin 1992, filloi shkatërrimi i prodhimit industrial shqiptar. U mbyllën të gjitha fabrikat.
U shkatërrua e gjithë industria ushqimore. Dhe të gjitha makineritë u shitën për skrap nga hajdutët. Një sy i stërvitur me tregun, e kuptonte që kjo ishte pa dyshim një skemë antishqiptare. Histeri kundër arsimit, histeri kundër shkencës shqiptare, njëlloj siç vepronte Milosheviçi në Kosovë kundër arsimit shqiptar atje, me mbylljen drastike të universitetit. Ky paralelizëm të jep të kuptuar se si në Kosovë, edhe në Shqipëri vepronte e njëjta skemë.
Por, ndryshimi ishte se në Kosovë vepronte pushtuesi serb – po në Shqipëri? Ketu vepronin të shiturit, sigurisht. Të njëjtën katastrofë e pësoi edhe prodhimi bujqësor. Hordhitë që shkatërruan fabrikat, shkatërruan 20 mijë hektarë vreshta, disa mijë hektarë sera diellore, prenë si vandalë disa milonë rrenjë pemësh frutore, dhe prishën të gjithë kanalet kulluese e vaditëse. Kjo është arsyeja kryesire e ndalimit evolutiv të shoqërisë shqiptare dhe ardhja e saj në gjendjen e sotme të ndalimit të historisë.
E pse të zgjatemi: pyetja që ngrihet këtu duhet të jetë kjo: a do ta hetojë Byroja Kombëtare e Hetimit dge SPAK këtë batërdi antishqiptare? Këta duhet ta hetojnë, sepse hetimi dhe agjencitë informative amerikane i kanë të faktuara, kurse shqiptarët duan të dëgjojnë të vërtetën nga hetimet: përse gjithë ky mllef antishqiptar kundër prosperitetit të shoqërisë shqiptare?
(M. I./ Faxweb.al)