Gjatë Kongresit të PPE, një takim bilateral i rëndësishëm u zhvillua ndërmjet Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, i shoqëruar nga delegacionet e tyre përkatëse.
Takimi pati në fokus bashkëpunimin e ngushtë midis dy partive simotra, si dhe forcimin e vlerave konservatore të përbashkëta, me theks të veçantë në sfidat që paraqet procesi i integrimit evropian për rajonin tonë.
Palët diskutuan rëndësinë e konsolidimit të një koordinimi politik të fortë dhe mbështetje reciproke, duke ndarë pikëpamje të përbashkëta mbi nevojën për të avancuar më tej proceset që lidhin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ata nënvizuan gjithashtu angazhimin për të forcuar marrëdhëniet ndërpartiake dhe për të thelluar bashkëpunimin rajonal.
Në këtë kontekst, Kryeministri Mickoski uroi Kryetarin Berisha dhe Partinë Demokratike për një rezultat të suksesshëm në zgjedhjet e 11 majit, duke ofruar mbështetje konkrete në formën e ekspertizës elektorale dhe urimeve të përzemërta.
Ai theksoi rëndësinë e qëndrimit të qartë pranë aleancës me administratën Trump dhe këshilloi për ruajtjen e një linje të fortë konservatore.
Mickoski, gjithashtu, ndau përvojën e tij të suksesshme në përballjen dhe mposhtjen e ndikimit të organizatave të financuara nga Open Society në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se pas fitores zgjedhore të partisë së tij, projekte të tilla si legalizimi dhe licencimi i kanabisit janë bllokuar.
Ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave konservatore dhe të parimeve kombëtare dhe familjare për të siguruar një të ardhme më të fortë dhe të qëndrueshme për të dy vendet.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe respekti të ndërsjellë, me angazhimin e të dy palëve për të thelluar bashkëpunimin ndërpartiak dhe rajonal, me shpresën për një të ardhme më të fortë dhe të konsoliduar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në arenën ndërkombëtare.