Pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Greqisë, si dhe pasqyrimit në mediet greke të vrasjes së grekut Kostantinos Katsifas, ka reaguar edhe kryeministri i vendit Edi Rama.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama kërkon nga pala greke që në vend që të quajë të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba policinë e shtetit, të bashkohen në falënderime që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi nga ai sulm.
“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste?????”, – shkrun Rama.
Kujtojmë se 35-vjeçari grek që hapi zjarr sot ndaj policisë shqiptare e kishte paralajmëruar sulmin e tij 5 ditë më parë, në datën 23 tetor, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Teksa shfaqet duke pozuar me flamurin e Viorio-Epirit, duket se i riu ka paralajmëruar ngjarjen në fjalë, ai shkruan “Grek ose vdekje”.
“Rama dhe Tsipras bëjnë plane pa nikoqirët. Për një gjë të jeni të sigurt. Rinia e Vorio Epirit nuk do të qëndrojë spektatore (nuk do bëj sehir). Thirren të gjithë grekët e Vorio Epirit që në 28 Tetor të dërgojnë një mesazh në çdo anë. Grek ose vdekje!”, shkruan Kostandinos Kaçifa në Facebook.
Pas breshërisë me kallashnikov mbi policinë e Gjirokastrës, në operacion janë angazhuar forcat RENEA nga Tirana për kapjen e tij. Vendodhja e tij u lokalizua e më pas si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë Kostantinos Katsifas.
Katsifas qëlloi me armë zjarri ditën e some në Bularat drejt policisë shqiptare, ndërsa po zhvillohej ceremonia për ushtarët e rënë grekë, gjatë luftës së dytë botërore.
(B.B/ Faxweb.al)