Kryeministri i Turqisë Binali Yıldırım ka vizituar të plagosurit e sulmit të kaluar në klubin e natës në stamboll, ku humbën jetën plot 39 persona.
Anadolu Agency (AA) shkruan se kryeministri ka thënë se nuk është e vërtetë që sulmuesi është veshur si babagjysh, përkundrazi ai ka ardhur i armatosur si një terrorist.
“Terrori nuk mund të na frikësojë. Nuk mund të na prishë vëllazërinë, unitetin dhe bashkërinë. Terrori nuk mund të në trembë ne, përkundrazi ne e trembim atë.
Dëgjoj sa djathtas majtas se personi ka ardhur i veshur si babagjysh dhe ka sulmuar. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Ai ka ardhur i armatosur. Si një terrorist”, është shprehur Yildirim.
Më pas kryeministri bën me dije se terroristi ka lënë armën dhe është larguar duke përdorur kaosin e momentit. Kështu policia po heton për të zbuluar identitetin e tij, duke shpresuar që arma e krimit mund të ndihmojë për ta realizuar këtë.
Yildirim shtoi se Turqia po përballet me terroristë të brendshëm dhe të jashtëm, por pavarësisht kësaj nuk duhet të dorëzohet.
Ndër të tjera, kryeministri shprehet se kjo që ndodhi në Turqi, mund të ndodhte edhe diku tjetër.
“Duhet të dihet që ky sulm terrorist që ndodhi sot këtu një ditë tjetër mund të ndodhë edhe në një vend tjetër. Nuk ka asnjë garanci për këtë. Për këtë arsye asnjëherë nuk mund të themi që ky vend është i sigurt ndërsa ky tjetri është i kërcënuar. Vetëm pak ditë më parë ndodhi në Gjermani, ndërsa një ditë më parë në Irak. Terrori s’ka as fe dhe shenjtëri. Terrori është kudo terror. Standardi i dyfishtë në luftën kundër terrorizmit nuk të çon në sukses në këtë drejtim.”, janë fjalët e tij. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post