Nga Edmond Arizaj
Edi Rama vazhdon të ngjitet. Që në shfaqjen e parë me kostumin e paveshur të politikanit e deri sot, ai s’ka njohur “ulje në gradë”. Dhe ka ecur me goxha shpejtësi. Sa herë kemi menduar se “kjo” është maksimalja, ai ka kërkuar një majë tjetër. Në ngjitjet e tij, ai ka sakrifikuar këdo; bamirësin Nano, mbështetësin Meta, shokun Blushi, duke folur për ata më të zëshmit. Sot ka një parti krejt pa zë, ose me zëra që cicërojnë sipas muzikës së Ramës. Për herë të parë që nga 1992, në Partinë Socialiste nuk ka një zë publik që të kundërshtojë politikat e kryetarit, apo lidershipit. Mirë? Keq? Shumë keq?
Shqiptarët tregojnë përditë se e duan diktatin dhe diktaturën. Rama nuk po ua kursen. Po atëherë pse nuk duan Berishën? Sërish Rama në skenë. Mjeshtri I paskuintave mediatike. Ai është njeriu që I urren, po po I urren, mediat. Por njëkohësisht është ai që di t’I përdorë më mirë ato. A nuk ishim ne, shqiptarët, që kënaqeshim me shfaqjet alla-Ramë të sëpatës në dorën e kryebashkiakut që shkonte priste një shtyllë; apo të megafonit të përdorur në një komision hetimor; apo të grushtave të përplasur gjithë irritim pas foltores plot me mikrofona; apo të hedhjes tutje me përbuzje të mbajtëses ku ishin vendosur flamujt e USA, BE dhe Shqipërisë (kjo është një kujtesë e vogël për ata që e njohin Ramën vetëm nga prilli i 2013. Edi Rama ka egzistuar dhe më parë).
Pra, jo pse Berisha nuk ishte një diktator i mirë për shqiptarët, por se Rama luajti në atë mënyrë që të na tregonte një diktator të keq. Dhe u bë vetë diktatori i mirë. Mos të mendojmë tani se diktatori është ai që izolon vendin, që shpall grupe armiqësore, që vret e sakaton kundërshtarët. Ky është Enver Hoxha. Nuk po flasim për të. Megjithëse teorikisht Rama kërkon t’i ngjajë. A nuk është kryeministri që na përplas turinjve sa herë ngremë sadopak zërin për shtrëngimin e fytit: po bëjmë shtet. Dhe normalisht merr duartrokitje në rrjete sociale, pavarësisht se shumica vijnë nga shqiptarë jashtë vendit, të mësuar me rregullat e vendeve ku jetojnë prej vitesh, duke harruar “faktet e thjeshta”; rrogën, shërbimet dhe përgjegjësinë e shtetit ndaj qytetarit të tij. Që nuk janë fare njësoj me Shqipërinë.
Për kë po bëjmë shtet pra?! Nëse më thua, tani paguajnë të gjithë energjinë elektrike, e çë pastaj. Unë e kam paguar përherë. Njësoj më ikin dritat edhe tani. Njësoj, askush nuk mban përgjegjësi për çka më shkatërrohet nga elektroshtëpiaket. Ndërsa ti si shtet ia fale mospagesën, atyre që nuk paguan vite me rradhë. Unë nuk vodha, nuk grabita pronën e askujt. Respektova ligjet. Ti si shtet, grabitësin, hajdutin, e legalizove. Unë sot, njësoj i paguaj gjobat që më vendosin si bashkia, si policia. Dhe po njësoj makina e shtrenjtë e qerosit nuk gjobitet edhe kur i hipën kaladibrançe ligjit. Nejse, gjëra të vogla. Që po të nisim t’i numërojmë bëhen aq shumë e aq të përditshme, sa çuditesh se si këta njerëz, shqiptarët pra, vazhdojnë ende të qëndrojnë në këmbë. Eshtë faj 100 vjeçar drejtimi, ku Rama ka pjesën e tij, por meqë është aktual dhe goxha konfliktual bie shpejt në sy…
Dakort. Të heq kapelen për reformën territoriale dhe frenimin e ndërtimeve pa leje. Por që të më thuash po bëj shtet, ata dhjetëra e qindra kryetarë komunash, sekretarë, anëtarë e ku di unë, mijëra shushunjëza të vogla, apo ata që ndërtuan si dhe ku t’u tekej, duhet t’ua sekuestroje gjithë ç’kanë fituar, e ç’kanë ndërtuar e më pas legalizuar. Ata që kanë prerë pyjet, edhe ata që i presin tani, duhet t’i bësh shembuj. Nëse më thua, tani që afrohen zgjedhjet, ja se po bëjmë reformën në drejtësi, hëhë. Unë s’jam tek kafja e lagjes e po bëj muhabet me Shabanin e po i them: e shef mo pra, ja pra çare po ban njaji që s’ta mbushte menjen tyja! Unë e di shumë mirë, se ti duhet ta nisje me këtë reformë pushtetin. Sepse premtimi ishte i veçantë; drejtësi për 21 janarin. Por siç e kam thënë dhe në një shkrim të 2013, socialistët i lënë premtimet rrugëve. A nuk ishte i tillë premtimi i tyre për drejtësinë e marsit 1997, për grushtin e shtetit 1998…Sot i përdorin veç si katalizator për socialistët që votojnë si zombi, pa logjikë. Nuk është fyerje. Eshtë konstatim. Zgjedhjet bashkiake 2015. Tirane-Vlorë. Në kryeqytet një person që pak vite më parë, me partinë e tij, kishte marrë në gjithë Shqipërinë 10 mijë vota, merr në Tiranë rreth 140 mijë vota. Ku është logjika këtu, përveç asaj partiake? Në qytetin më të bukur shqiptar dhe ndër më egositët (sipas fjalëve) Vlorë, një person krejt i panjohur politikisht, i larguar prej vitesh nga qyteti, e bëjnë kandidat dhe ua japin ta votojnë. Mbi 5 mijë vota diferencë. Ku është logjika këtu, përveç asaj partiake? Gjithsesi, e rëndësishme është që filloi reforma në drejtësi. Shuuuumë e rëndësishme. Sido të jetë, vendimet do nisin të jenë shumë herë më të drejta.
Socialistët janë zhgënjyer me Ramën? Nuk ka thënë kurrë se do punoj për socialistët. Madje ka pas dhe një slogan “Përtej të majtës e së djathtës”. Tek e majta ka dhe të tjerë, përveç socialistëve. Dhe jam me socialistët në fakt. Pse? Eshtë e njëjta gjë që më ndodh sa herë shoh ndonjë dokumentar për savanën afrikane; luanët kapin gjahun, vijnë hienat shkulin një copë, pastaj vijnë hutat, pastaj çakejtë, në fund krimbat. Nuk është një krahasim fort i gjetur, sepse mishi i Shqipërisë nuk po njeh të mbaruar, sado luanë, hiena, çakej, huta e krimba, vendas e të huaj, kanë kafshuar e janë nginjur me të. Më vjen keq…për luanët.
Gazetarët janë zhgënjyer me Ramën? S’mbaj mend të ketë qenë mik i gazetarëve. Megjithëse dyshoj që Rama të jetë mik me ndokënd. Por po e quajmë të tillë për pronarët e mediave dhe për disa që kanë mundësi të dalin në studio televizive duke folur për politikë. Gazetarët janë aq të rrallë në këto kohë të turbullta për këtë profesion, sa nis e lexon shkrime të dikurshme, në kundërshtim të plotë me ç’të kanë mësuar se gazetaria nuk është letërsi. Por “jam gazetar” po bëhet aq lehtësisht e artikulueshme nga kushdo, aq inflancioniste, saqë mendoj ndonjëherë se Rama po përpiqet të na bëjë një shërbim të madh. Madje është e vërtetë. Pasi e pashë së fundmi tek studio e Ilva Tares,vendosa që Ramën ta ndjek veç kur e fton Blendi Fevziu.
Bizneset janë zhgënjyer me Ramën? Asfare. Keni dëgjuar ndonjë biznes të madh që ankohet. Madje as të mesmit. Fjollë u shkojnë punët. Madje edhe ata që financonin Berishën.
Aleatët të zhgënjyer me Ramën? Preç Zogaj tashmë është mësuar që ja dredhin gjithmonë dy javë para zgjedhjeve. Milo me Gjinushin (ishte treshja që nuk i ndahej Ramës në çdo protestë) duhet të vinte një ditë që të dilnin në pension. Kur do t’i shkruajnë kujtimet? LSI (Meta) s’ka pse të zhgënjehet, e njeh Ramën më mirë edhe se Rama njeh veten. PDIU? Të kapë ç’të kap, ajo nga fundi u bë aleate. Si “ballistët e zhgënjyer”, sipas historiografisë komuniste, që lanë qeleshen me shqiponjë dhe vunë yllin në fillim nëntori ’44. Shqipëria lesh arapi është; s’ka as ideologji, as parime, as ndershmëri, as burrëri. Politike flasim gjithmonë. Sepse për të tjerat, s’të falim kollaj.
Shqiptarët e rajonit të zhgënjyer? Pse?! Kush ishin pritshmëritë e tyre? Një vend që nuk imponohet, as me ekonomi, as me ushtri, as me miqësi si Shqipëria edhe sikur nga Nibiru ta ketë kryeministrin nuk ngjall respekt. Rama është ok deri diku. Ne i skërmisim dhëmbët Greqisë. Eeee. Po ata të fshatit që luftonin dikur, tani janë emigrantë në Greqi. I hakërrehemi edhe Serbisë. Me ça? Se Serbia i tregoi avionët e fundit që “bleu”. Ne çtë tregojmë? Apo shqiponjën që bëjmë me duar. Me ketë do jemi krah Kosovës?! Me duar do kërkojmë Mitrovicën veriore dhe rajonin Preshevë-Medvegjë-Bujanovc? Turpi ynë sot është që si në Kosovë, si në Shqipëri ka elementë që dalin në media, dhe media që iu japin hapësirë e thonë: jemi dy shtete të ndryshëm, mos ndërhyni në punët tona. Për më pak se kaq Krasniqja e Currët (Bajrami) hyri në gjak me Kryezinjtë e Zogollët (Ahmetin). Askush në rajon nuk i do shqiptarët të fuqishëm. Madje dhe ne vetë duket se nuk e duam veten të fuqishëm. Jemi mësuar të kapemi pas koqeve të një më të madhi e më të forti dhe ia lëmë atij në dorë. Histori e vjetër. Vetëm Teuta nuk pranoi të jetë vasale. Në 2 mijë e kusur vite, vetëm një udhëheqës?! Madje udhëheqëse. Pfffff. Duhet parë kjo “burrëria shqiptare”. Rama bën mirë të vazhdoi siç e nisi; me integrimin, me paqen, me dashurinë në gjithë rajonin. Për t’u imponuar duhet të kesh nga ato të rëndat. Ne ja shkulëm vetes që në ’90 kur thamë ta kthejmë gjithçka në zero, se do i bëjmë nga e para. U bënë 25 vjet, vetëm haletë kemi ndryshuar, i kemi allafrënga tani.
Rama është ende në ngjitje. Duam, apo nuk duam. Pak muaj nga zgjedhjet, një njeri, i cili vraponte tek aleati sa herë ky i fundit ankohej për një dhëmballë, sot bën arrogantin dhe është gati të hyjë në “luftë civile”. Besoj ndihet tmerrësisht i fuqishëm. Dhe kjo ndodh pas katër vitesh pushtet ekzekutiv, pas 19 vitesh në pushtet e pas 12 vitesh në krye të partisë më të madhe në vend. E çuditshme dhe kurioze nga buron, por Rama është ende i fuqishëm. Eshtë ende abuzues. Eshtë ende arrogant. Madje tiparet e diktatorit po forcohen. Ai nuk do të dëgjojë më kritika. Dakort. Po ashtu janë edhe kryetarët e tjerë të partive. Po ashtu kanë qenë edhe kryeministrat shqiptarë. Dhe po njësoj i kanë gënjyer ata që duhet t’i mbajnë të informuar për realitetin. Jam i bindur, se ky koalicion do jetë sërish në pushtet. Nuk shoh pse socialistët do ta kundërshtonin edhe hyrjen e çamëve në pjesë. Për ta njësoj është, rroga nuk ndryshon.
Në pas 18 qershorin e këtij viti, Rama do të arrijë zenitin e tij politik, dhe besoj do të tregohet aq i zgjuar, sa të mos lejojë një sivlla të tijin karshi Nanos, t’a bëjë të provojë edhe nadirin politik. A e ka gjetur vallë një pasardhës?! Unë do të votoja për një dopio karrige Tahiri-Klosi, që Partia Socialiste pas shumë tallazeve, të rikthehej tek socialistët dhe të rikthente gjithë ata që u ndoqën e u përndoqën. Në llogari të fundit, Rama do ta kuptojë se krijesa e tij, ishte një dështim në manipulimin politiko-gjenetik dhe se pa ndihmën e tij nuk do të mbijetonte dot.
PS: PD-ja?! Nuk shoh asnjë problem me Lul Bashën. Por sigurisht do kohën e vet, që një parti “e fortë”, të relativizohet në qytetare. Nga një lider super të fuqishëm që dukej se kishte rënë nga kuajt e Mujit dhe Halilit, në një drejtues normal, i cili më në fund e ka kuptuar se nuk duhet të përpiqet t’i ngjajë Sali Berishës. Berisha do të mbetet unik; sa herë u përpoq ta prosperonte Shqipërinë, aq herë e zhyti më thellë. Ndonjëherë është dhe punë fati…
Discussion about this post