Ndeshja e nesërme midis Napolit dhe Juventusit shënon në kryendeshjen e javës së 26-të në Serie A. Një ndeshje, e cila do të lohet në “San Paolo” dhe do të vendosë përballë dy ekipet kryesues të kampionatit.
Përpara kësaj sfide ka folur për mediat drejtuesi i pankinës së ekipit të kaltër, Karlo Ançeloti i cili ka prekur disa tema, ku foli për sfidën, çështjen e titullit, përballjen me Ronaldon si dhe për vijimin e karrierës së tij.
Për ndeshjen ai tha se është një sfidë e rëndësishme nga loja e së cilës varet edhe rezultati më I mirë që mund të merret duke paralajmëruar kundërshtarët se tashmë ekipi që ai drejton është më I konsoliduar se ndeshjen e parë.
“Është një ndeshje e rëndësishme për kampionatin, asgjë më shumë. Kemi dëshirën dhe ambicien për të luajtur dhe për të bërë më të mirën, duke treguar që mund të rivalizojmë ndaj një kundërshtari shumë të fortë si Juventusi. Në ndeshjen e parë, ishim akoma duke u përshtatur me stilin e lojës. Tani jemi më të konsoliduar dhe në formë të mirë, si mentale ashtu edhe fizike. Nuk do të kishte kohë më të mirë se kjo për t’u përballur me Juven”, deklaroi trajneri.
Ai foli edhe për Christiano Ronaldon ku tha se është I lumtur që do ta takojë, duke shtuar se nëse ai luan është një problem ekstra për ekipin e tij.
“Jam gjithmonë i lumtur ta takoj. Nëse ai luan, është një problem ekstra për ne, por gjithmonë është një kënaqësi të kesh përballe më të mirin. Nuk ka ekip të pamposhtur. Juventusi ka shumë kualitet, eksperiencë, fizik dhe ne do të përpiqemi të krijojmë sa më shumë intensitet.”
Ançeloti foli edhe për garën për titull ku deklaroi se: “Një fitore do të na mbante në garë për titullin, ndërsa çdo rezultat tjetër do të na shtynte të mendonim për objektiva të tjera, si për shembull Europa League. Do të jetë e rëndësishme dhe për vetëbesimin tonë për ta fituar këtë ndeshje”.
Discussion about this post