Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç takohen sot në Bruksel me të dërguarin e posaçëm evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, në përpjekje për të gjetur zgjidhje rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, dështuan të shënojnë përparim në bisedimet e normalizimit dhe një takim trepalësh i planifikuar me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell nuk u zhvillua, për shkak të refuzimit të Kosovës për të marrë pjesë.