Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha nderoi ditën e sotme 80-vjetorin e Kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe, si një nga momentet më të ndritura të qëndresës Berisha theksoi se Malësia, nën drejtimin e figurave si Prekë Cali dhe Llesh Marashi, mbrojti lirinë dhe identitetin kombëtar, përballë terrorit të regjimit komunist dhe OZN-së jugosllave.
Berisha tha se ky regjim solli shtypje, ekzekutime dhe kampe përqendrimi, duke e cilësuar atë si “anën më të zezë të historisë”. Ai kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke e akuzuar për ndjekje të praktikave diktatoriale dhe për dëmtimin e vlerave demokratike.
Duke shprehur mirënjohje për martirët dhe të përndjekurit politikë, Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim në zgjedhje, duke e konsideruar largimin e Edi Ramës një emergjencë kombëtare. Ai premtoi mbështetje për të përndjekurit dhe dëmshpërblime të plota në një mandat të ardhshëm qeverisës.
FJALA E PLOTË
Kryengritja e fuqishme antikomuniste e Malësisë së Madhe që nderojmë sot, 80-vjetorin e saj.
Kryengritja antikomuniste e Malësisë së Madhe shënon një nga faqet më të ndritura të qëndresës së shqiptarëve ndaj pushtuesve të egër komunistë. E vërteta është se vrasësi serial, Mehmet Shehu, i dërgonte nga Shkodra aso kohe telegram Enver Hoxhës duke thënë se në kuptimin ushtarak Shkodrën e kemi pushtuar.
Në fakt, ky vrasës serial e mashtronte, sepse në kuptimin ushtarak, Malësia e Madhe, nga Bajza në Vermosh, në të gjithë territorin e saj, ishte e organizuar në një qëndresë epike nën udhëheqjen e burrave të saj të shquar: Prekë Cali, Llesh Marashi, Nur Delia e shumë të tjerë.
Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte njëkohësisht një qëndresë ndaj pushtimit të dyfishtë të Shqipërisë: pushtimit nga diktatura komuniste, por edhe pushtimit nga regjimi i Beogradit që u vendos në Tiranë.
Ky regjim kishte një projekt: shndërrimin e Shqipërisë në republikën e 7-të. Banorët e Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe përballeshin me një terror të madh. Terrorin e falangave komuniste të Mehmet Shehut dhe Shefqet Peçit, por njëlloj dhe më të egër, terrorin e Oznës, shërbimit sekret të ushtrisë jugosllave, i cili konsideronte territorin e Shkodrës të njëjtë me territorin e Malit të Zi dhe territore të tjera të ish-Jugosllavisë.
Në vitin 1944 dhe në shkurt të vitit 1945, në trevat e Malësisë së Madhe pati një seri zhvillimesh, me të cilat u krijuan lidhje që synonin të kundërshtonin regjimin komunist dhe të mbronin Shkodrën dhe veriun nga ky pushtim.
Me kombinime të dyfishta, malazeze dhe serbe, u arrit që prijësit e kësaj kryengritjeje të arrestoheshin. U arrit që tribuni i saj legjendar, Prekë Cali, të ekzekutohej me gjyq.
Shkodra dhe Malësia e Madhe u vendosën në terror të plotë, por fryma, guximi dhe qëndresa e martirëve të lirisë së kësaj kryengritjeje – mbi 45 qëndrestarë dhe kryengritës të ekzekutuar nga forcat terroriste, qindra të tjerë të burgosur – mbeten të paharruara.
Ndaj dhe ne sot nderojmë me respektin dhe mirënjohjen më të pakufijshme kryengritjen e parë antikomuniste në Europë: Kryengritjen e Malësisë së Madhe.
Nder përjetë martirëve, qëndrestarëve dhe udhëheqësve të saj!
Të dashur miq, sot ne nderojmë heroizmin, atdhetarinë dhe qëndresën burrërore të malësorëve të Malësisë së Madhe ndaj një pushtimi që, në fillimet e tij, regjimi i Enver Hoxhës do të faktohej si pushtimi më i egër që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre.
Ky regjim ekzekutoi pa gjyqe ose me gjyqe farsë mbi 6600 shqiptarë vetëm për bindjet e tyre politike, për besimin te Zoti dhe te Shqipëria.
Ky regjim e mbushi Shqipërinë me kampe përqendrimi, kampe pune dhe burgje ferri. Por sot, që ne nderojmë 80-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, shqiptarët përjetojnë përsëri një diktaturë të re, drejtuar nga pasardhësit e atyre që instaluan diktaturën e parë.
Sot, përsëri në burgjet e Shqipërisë janë të arrestuar deputetë të opozitës, kryetarë partish dhe eksponentë të tjerë. Pasardhësi i njeriut që firmosi varjen në litar të poetit disident, Havzi Nela, në 10 gusht të vitit 1988, vetëm për vargjet dhe mendimet e tij ndryshe, sot burgos kundërshtarët politikë. Ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij dhe ka shpallur publikisht se i ati i tij komunist, me zgjedhjen që bëri, qëndroi në anën e drejtë të historisë.
Sipas Edi Ramës, komunizmi ishte ana e drejtë e historisë. Ndërkohë, komunizmi si sistem është faktuar si ana më e zezë e historisë së njerëzimit.
Si asnjë sistem tjetër deri më sot, komunizmi numëron mbi 100 milionë viktima, katër herë më shumë se Lufta e Dytë Botërore. Të shpallësh komunizmin si anë të drejtë të historisë do të thotë të pranosh dhe të praktikosh standardet e tij. Dhe e vërteta është që Edi Rama po bën gjithçka për të bllokuar rotacionin në Shqipëri, për të vazhduar, njëlloj si paraardhësi i tij shpirtëror, Enver Hoxha, pushtetin pa votën e shqiptarëve.
Duke shprehur nderimin më të madh për ju, pasardhës të luftëtarëve dhe martirëve të kryengritjes së Malësisë së Madhe, qëndrestarë të kampeve dhe burgjeve të egra të diktaturës komuniste, ju ftoj të bëni gjithçka në këto zgjedhje, kudo që jeni – në Shqipëri, emigracion apo diasporë – në mënyrë që të ndahemi nga kjo e keqe e madhe, e cila po zbraz Shqipërinë si asnjë pushtues apo regjim tjetër në histori.
Sot, regjimi i Tiranës, bashkë me regjimin e Beogradit, në sintoni, kanë vendosur një darë kundër Republikës së Kosovës, vend i lirë demokratik që po ndërton me sukses një sistem vlerash. Edhe në këtë kontekst, largimi i Edi Ramës përbën një emergjencë kombëtare.
Ju garantoj se Partia Demokratike, që ka pasur dhe ka në shtresën e të përndjekurve politikë fibrën e saj politike më të fuqishme, është e vendosur që në mandatin e saj të parë pas 11 majit të përfundojë të gjitha dëmshpërblimet që i përkasin shtresës suaj dhe të vendosë pensione të veçanta për çdo të vuajtur, kudo që ndodhet. Përveç dëmshpërblimit, një pension që iu takon atyre që qëndruan ndaj diktaturës më të egër që ka njohur Shqipëria në histori.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufijshme ndaj luftëtarëve dhe martirëve të kryengritjes së fuqishme antikomuniste të Malësisë së Madhe, familjeve të tyre dhe të gjithë shtresës së të përndjekurve politikë që qëndruan për vlerat dhe idealet më të larta të njeriut dhe të shqiptarit.
Faleminderit!